AKTUALITET, 21 Qershor 2026, 16:20

Rama: Shqiptarët e Kosovës dhe RMV s’janë diasporë, sponsorët po harxhojnë para për dëm kombëtar! Flamuri i UÇK u përdhos! Lëreni Kurtin jashtë kësaj çorbe

Rama: Shqiptarët e Kosovës dhe RMV s’janë diasporë,

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj postimit të Arta Toçit, një ish-deputeteje të Maqedonisë së Veriut. Rama thotë se shqiptarët e RMV s’janë diasporë e shqiptarëve, por popull shtetformues.

Më tej, kryeministri pyet se kush brengoset a gëzohet kur sheh “ushtarët e verbër” nga Prishtina e Tetova që shkojnë drejt Tiranës për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë, si “diasporë.”

Sipas Ramës, ka sponsorë që po përpiqen të shkaktojnë “dëm kombëtar.” Ai shkruan se flamuri i UÇK-së është përdhosur duke u përdorur për rrëzimin e qeverisë në Tiranë. Ai thotë se pas gjithë ksaj qëndrojnë “sallahanet” e Vetëvendosjes, të cilat në të vërtetë s’kanë asnjë lidhje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!

Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.

Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?

Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.

Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:

“Ju rrugaça e sallahana,

vagabonda shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni n’mushkni…”

Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrsesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkruan Rama.

Në shkrimin e saj, Toçi kritikonte praninë e shqiptarëve të maqedonisë në protestat në Tiranë duke u thënë që të mos i turpërojnë kudo shkojnë.

“Shqiptari i Tetovës, azgan i madh në Tiranë! 'Kryeministër jep dorëheqje, na lë të qetë'! Kush është kryeministri i tij? A mundet, a ia merr mendja, a guxon të mendojë për t'ia
thënë këtë kryeministrit të vet? Breshka, kërmij, poltrona ju bëri Zoti por mos na e merrni fytyrën kudo që shkoni o pelikana! Kur është fjala te pelikanët, e kujtoj një restorant ku piqeshin ato në hell. Ky ishte në komunën e Zhelinës!”, shprehet ish-deputetja.