TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tetë persona që janë të përfshirë në dosjen e hetimit të koncesionit të sterilizimit janë paraqitur në Gjykatën e Posaçme të premten (18 Gusht).
Ata janë njohur me masat e sigurimit personal, ku dy protagonistët kryesorë të atij koncesioni janë lënë në burg, ashtu siç edhe ishte miratuar rreth dy muaj më parë.
Dy persona të tjera janë lënë në arrest shtëpie, ndërkohë që për katër persona të tjerë është lënë masa detyrim paraqitjeje. Gjyqtari nuk ka ndryshuar asnjë nga masat e sigurisë, pavarësisht se avokatët e të akuzuarve kërkuan masë më të butë, kryesisht për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe biznesmenin, të arrestuar nën tri akuza.
Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e sigurisë për tetë personat e akuzuar për koncesionin e sterilizimit, përfshirë ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndaj tyre gjykata konfirmoi masat arrest me burg të vendosura në qershor.
Avokatja Klodian Rrjepajt, Elvira Hysa ka kërkuar masë më të butë sigurie ose lirimin kundrejt garancisë pasurore. Pas vendimit të gjykatës, ajo u shpreh se nuk dëshiron ta komentojë çështjen.
‘Nuk kam koment…’, tha avokatja Elvira Hysa. Në Gjykatë u paraqitën edhe 6 zyrtarët e shëndetësisë dhe anëtarët e komisionit të tenderit, të cilët janë lënë në masën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje. Gjykata njoftoi se ka lënë në fuqi masat “Arrest shtëpie” për Saimir Kadiun, drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike, në Ministrinë e Shëndetësisë.
Për mjekun Arben Gjata, shef kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë u la në fuqi masa detyrim paraqitjeje. E njëjta masë u konfirmua edhe për të pandehurit Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky i fundit në dalje të Gjykatës, tha se është krenar për koncesionin e sterilizimit.
“Ne jemi krenarë për atë sterilizim!”, u shpreh Petro Mersini, ish-drejtor në Ministrinë e Shëndetësisë. Në vendimin e Gjykatës për caktimin e masës, prokurorët janë shprehur se nga këqyrja në sistemin TIMS, ka rezultuar se dy të akuzuarit kryesorë, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj, kanë qëndruar jashtë Shqipërisë për një periudhë të gjatë ndaj duhet të caktohet masa arrest me burg ndaj tyre për të shmangur rrezikun e largimit.
SPAK ka ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh ndaj zyrtarëve dhe mashtrim për fituesin e koncesionit 100 milionë eurosh të dhënë në vitin 2015. Tashmë pritet që të akuzuarit t’i drejtohen Gjykatës së Apelit të Posaçëm për të ndryshuar këto masa sigurie, ndërkohë që sipas të dhënave hetimet po vijojnë edhe për disa persona të tjerë.
Duke iu referuar të dhënave të shumta që kanë shoqëruar hetimet trevjeçare të kësaj afere, që siç pretendon SPAK ka ardhur edhe në bazë të falsifikimit të dokumenteve, bëhet me dije se janë të tjerë ish-funksionarë të lartë dhe funksionarë aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë që do të jenë jo vetëm pjesë e zbardhjes së rrethanave të faktit por madje edhe të hetimit për koncesionin e sterilizimit. Kjo dosje nuk është e vetmja që është përgatitur në radhët e sistemit shëndetësor.
Mashtrimi i biznesmenit Ilir Rrapaj me kompaninë
Sipas të dhënave zyrtare, bëhet me dije se ndër të tjera, në vendimin e Gjykatës evidentohet fakti se veprat penale, për të cilat akuzohen dy të arrestuarit kanë një marzh dënimi 7 dhe 10 vjet burgim. Vendimi i gjyqtarit Erion Bani, i dhënë në datën 23 qershor, citon ndër të tjera, se hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit të Nisma Thurje dhe mjekut Artan Koni.
Për biznesmenin Ilir Rrapaj ne vendim thuhet se ai ka mashtruar për kompaninë aktivitetin si dhe fitimin e tyre. Miqësia e ngushtë e Rrapajt me Rjepajn e Beqajn që u mbajt e fshehur. Sipas të dhënave, Prokuroria e fajëson biznesmenin se ka mashtruar edhe për faktin se nuk ka pasur njohje me zyrtaret e ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që ka rezultuar e kundërta.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, biznesmeni Ilir Rrapaj ka qenë shok fakulteti, universiteti me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, me të cilin ka kryer udhëtime para dhe pas lidhjes së koncesionit. Ky fakt, sipas Gjykatës dhe Prokurorisë, përbën konflikt të fortë interesi, për të cilin është mashtruar shteti shqiptar, sepse një raport i tillë duhet ta kishin deklaruar përpara se të lidhej koncesioni dhe se mund të përbënte shkak për përjashtimin e kompanisë nga koncesioni.
“Personi që ka pasur kontakte të vazhdueshme gjatë gjithë kësaj periudhe me Autoritetin Kontraktor Ministrinë e Shëndetësisë është shtetasi Ilir Rrapaj, i cili edhe pse nuk ka mbajtur ndonjë detyrë publike, dilte jashtë shtetit me makinën në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë me targa TR4112R, drejtuar nga shoferi i zëvendësministrit të Shëndetësisë” shkruhet në dosje.
Sipas Prokurorisë, referuar ligjit për koncesionet, dhe prokurimet, faza e përgatitjes së studimit të fizibilitetit është bërë në kushtet e konfliktit të interesit, duke qenë se ka marrë pjesë Ilir Rrapaj dhe zv.ministri Klodian Rrjepaj në hartimin e gjithë dokumentacionit.
Një situatë e tillë e konfliktit të interesit, sipas SPAK, përbën shkak për skualifimimin e subjektit nga gara. Konkretisht, në momentin e dorëzimit të dokumenteve, pronari i “Investital LLC” Ilir Rrapaj, ka konsumuar veprën e mashtrimit, pasi ka plotësuar formularin ku shprehet se nuk është në kushtet e konfliktit të interesit me asnjë nga anëtarët e Komisionit.
Nga ana tjetër, Prokuroria thekson se nga këqyrja e sistemit TIMS, lëvizjet e automjetit, hyrje-daljet në kufi dhe akte të tjera, del se biznesmeni ka pasur njohje dhe raporte të vazhdueshme me zv.ministrin Klodian Rrjepaj dhe ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.