TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pasi rinumërimi i qarkut të Tiranës tregoi se nuk pati trafikim votash, sot në pallatin e sportit “Farie Hoti” ka nisur procesi i rinumërimit për Fierin, qarku i dytë më i madh, i cili prodhon 16 mandate. Deri më tani janë hapur 65 kuti, nga 587 në total. Po rinumërohen si votat për partitë, ashtu edhe për kandidatët (rreth 160 mijë vota në total).
Rinumërimi i këtij qarku po bëhet pas kërkesës së koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, i cili kërkon t’i marrë një mandat Partisë Socialiste. Që Lapaj të fitojë këtë mandat, duhet që partia e tij të marrë nga procesi i rinumërimit 519 vota më shumë, çka do të bënte që Azmer Duleviç të merrte mandatin e deputetit dhe të lërë jashtë socialistin Ramion Kurti.
Deri më tani janë hapur 65 kuti votimi (ora 12:30), ku reflektohen pasaktësi të vogla. PD humb 14 vota, ndërsa PS-së i shtohet 1 votë. Bie në sy fakti se deri tani edhe Nisma Shqipëria Bëhet humbet 4 vota, pra i zbriten nga numërimi i 11 majit ku i kishte marrë padrejtësisht (teksa po kërkon t'i heqë mandat PS-së). PSD i shtohen 3 vota, Djathtas për Zhvillim i zbriten 2 vota, Koalicionit Euroatlantik 1 votë dhe Lëvizjes Bashkë 1 votë.
Që PS të humbasë edhe një mandat tjetër, në favor të PD, kjo e fundit duhet të marrë rreth 6300 vota më shumë nga rinumërimi, ose PS të ketë rreth 19,000 vota më pak. Pra krejtësisht e pamundur. Por, lufta në kampin socialist është mes dy kandidateve, Zegjine Çaushi dhe Maldita Bardho, të cilat nga numërimi i 11 majit kanë një diferencë prej 64 votash. Mbetet për t’u parë nëse Bardho do arrijë t’ia marrë mandatin Çaushit. Deri më tani asaj i janë zbritur 13 vota, ndërsa Çaushi ka të njëjtin rezultat si më 11 maj.
Në rinumërimin e qarkut të Tiranës, që përfundoi të premten, nuk pati ndryshim rezultati por vetëm lëvizje të vogla votash që u konsideruan gabime njerëzore dhe jo trafikim votash nga KAS.