AKTUALITET, 27 Qershor 2022, 12:48

Amnistia fiskale/ Jorida Tabaku: 95% e draftit u ‘rrëzua’ nga SHBA dhe BE! Mënjanon SPAK-un dhe i jep autoritet institucionit që ngre Qeveria

Amnistia fiskale/ Jorida Tabaku: 95% e draftit u ‘rrëzua’ nga

Partia Demokratike është kundër projektligjit që është hedhur për konsultim për amnistinë fiskale dhe penale.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, deputetja Jorida Tabaku analizon draftin dhe shprehet se 95% e projektligjit është i njëjtë me atë që kundërshtuan partnerët strategjikë të Shqipërisë. Më tej, Tabaku thotë se Shqipëria nuk mund ta miratojë një ligj të tillë për disa arsye. E para, lidhet sepse Shqipëria renditet si një vend me korrupsion të lartë dhe s’ka besueshmëri tek institucionet.

E dyta, është se ky ligj nuk i shërben qytetarëve apo emigrantëve siç është propaganduar pasi sipas saj në 3 dekada emigrim shqiptarët kanë marrë nënshtetësi të vendeve ku jetojnë e jo më të kenë lekë nën jastëk.

Argumenti tjetër që sjell deputetja e PD-së është fakti se futja në treg e më shumë parave do të rriste më tej inflacionin dhe në këtë mënyrë shtresat e mesme që kanë paguar çdo taksë e kanë punuar me ndershmëri do të ndiheshin më të varfër. Ndërsa si problem serioz thekson faktin se projektligji mënjanon SPAK-un dhe i jep më shumë autoritet institucionit që krijohet nga qeveria.

Znj Tabaku, qeveria ka nisur konsultimin publik te draftligjt për Amnistinë Fiskale. A e mbështesni ju në Parim një nisme te tille?

Natyrisht që jo! Madje më duhet t’ju korrigjoj pasi nuk është ligji për Amnistinë Fiskale por është një ligj i propozuar nga PS për Amnistinë Penale të korrupsionit, vjedhjes dhe pjesëmarrjes në krimin e organizuar.

Një draft ligj i kundërshtuar edhe kur doli për diskutim vite më parë personalisht nga unë dhe padyshim edhe nga PD.

Pasi e lexova ligjin vura re që draft ligji aktual është thuajse 95% i ngjashëm me atë të refuzuar nga të gjithë institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë.

Një propozim i panevojshëm në kohë dhe gjithashtu edhe si vend pasi Shqipëria nuk e ka sot të domosdoshme as injektimin e parave dhe aq më tepër as nuk ka të nevojshme një politikë fiskale në lidhje me amnistinë.

Amnistia fiskale aplikohet në situata kur arka e shtetit është e boshatisur dhe kur individët kuptohet zotërojnë më shumë para dhe këto duhet të vendosen në shinat e ligjit pasi ndihmojnë më së pari ekonominë por edhe shoqërinë.

Ky lloj procesi është tejet delikat dhe ngrihet mbi disa principe që nuk mund të bien ndesh me legjitimitetin e akteve të pjesës së shoqërisë që është treguar korrekte me shtetin.

Kështu nëse ne duam që të aplikojmë ndonjë nga arsyet e mësipërme mbi Shqipërinë a qëndron? A jemi ne në një situatë ku arka e shtetit shqiptar mbledh shumë pak të ardhura? A kemi ne një periudhë krize që ka nevojë për likuiditete që të futen në shinat e legjitimitetit?

A është shoqëria jonë e mbrojtur nga korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave në një masë të tillë që një veprim i tillë i qeverisë nuk do të prodhojë pabarazi por do të shtyjë vendin drejt një barazie?!

Siç edhe realiteti flet qartë ne nuk jemi në kushtet e tilla. Së pari sepse të ardhurat në buxhet janë rritur edhe si pasojë e inflacionit dhe së dyti Shqipëria nuk është vendi i rregullave strikte dhe një situate ku korrupsioni nuk është galopant, përkundrazi.

Nuk duhet të harrojmë që në vitin 2020 dhe vitin 2021 qeveria krijoi atë që u pagëzua si OFL pas një veprimi të tillë e njëjta qeveri do të promovojë një amnisti fiskale që natyrisht është edhe penale. Këto veprime kundërthënëse vetëm sa shtojnë pikëpyetjet mbi qëllimin përfundimtar të projektligjit në fjalë!

Në draft flitet për një tavan ku një individ mund të deklarojë deri në 2 milionë euro para cash. Ndërkohë më herët nga përfaqësues të qeverisë është artikuluar se nisma bëhet për emigrantët. A i shërben ky projektligj atyre?

Siç e theksova dhe më sipër, qeveria është kundërthënëse në atë që pretendon se thotë ligji dhe në atë që ka shkruar në projektligjin e propozuar për konsultim publik për herë të dytë.

Shqiptarët kanë 30 e më shumë vite që punojnë si emigrantë dhe shumë prej tyre kanë krijuar dhe familjen e tyre në ato vende. Për 3 dekada me radhë e në vazhdim ato kanë ndihmuar dhe kanë kontribuar në vendin tonë përmes remitancave që kanë qenë jetike për shqiptarët këtu sidomos në kohë krizash.

Dërgimi i remitancave do të thotë që emigrantët në vendet e tyre kanë krijuar mundësitë për të punuar ligjërisht dhe për të kaluar në procesin e njohur të “letrave”. Pra, emigrantët tanimë kanë marrë dhe shtetësi dhe janë integruar plotësisht ligjërisht në vendet ku kanë jetuar apo jetojnë. Nuk njoh asnjë emigrant që të ketë 2 mln euro të fshehura poshtë jastëkut në Itali apo ndonjë të tillë që ka ardhur në Shqipëri dhe i mban poshtë krevatit.

Kjo sepse ato vende kanë ligje të qarta dhe të forta e për më tepër shqiptarët e kanë kaluar fazën e të qëndruarit pa letra në ato vende. Prandaj më duket e palogjikshme e gjithë kjo alibi.

E vërteta e projektligjit është se kërkon të përdorë dramën e emigracionit për të mbuluar një tjetër të vërtetë dhe qëllim të ligjit. Legalizimin e parave të pista përmes një skeme aspak favorizuese për qytetarët dhe shoqërinë tonë.

Kështu qeveria propagandon skemën e dramës së emigracionit, të njerëzve që nuk kanë pasur mundësi të deklarojnë të ardhurat dhe kanë bërë paratë me mund por në të vërtetë ajo synon të ligjërojë dhe legalizojë paranë e krijuar jashtë sistemit ligjor brenda dhe jashtë vendit.

Kështu, propozon që personat që kanë 2 mln euro cash t’i deklarojnë kundrejt një tatimi prej 7% ndërkohë që një qytetar që merr 200 mijë lekë (1700 euro) nga paga e punës tatohet me 23% pa siguracionet.

Kjo në fakt është e pandershme dhe tërësisht imorale sikur të kryhej dhe në kushtet e një qeverisje të pa akuzuar për korrupsion, pasi promovon një pabarazi të pa principtë. Por në rastin e Shqipërisë kur metodat për të zhbërë tregjet informale nuk janë adaptuar plotësisht dhe as siç duhet kalohet në një ekstrem tjetër dhe kjo nuk bëhet pa qëllim.

Nga ana tjetër nuk kemi asnjë siguri që kjo formë dhe kjo lloj amnistie, që siç e përmenda shkon deri në amnisti penale, do të ofrojë formalizimin apo do të prodhojë një administratë tatimore më të fortë?! Nuk e besoj se do të mund të kemi një rezultat të tillë pasi kushtet duket se nuk janë të tilla.

Projektligji parashikon gjithashtu edhe mundësinë e deklarimit të pasurive të tjera të luajtshme e të paluajtshme. Kur parashikohen mundësi të tilla, si qëndrojnë këto pasuri aktualisht në Shqipëri, me çfarë statusi?

Shqipëria për fatin e keq nuk është një nga ato vende që ka një vlerësim pozitiv në fushën e pastrimit të parave. Dy vjet më parë MoneyVal që analizon të dhënat në lidhje me pastrimin e parave e ka renditur vendin tonë në listën gri, çka përbën një risi pasi renditja në këtë listë na bën vendin e vetëm në Europë aty.

Përpos kësaj, lufta në Ukrainë e ka ngritur në një tjetër nivel betejën kundër pastrimit të parave dhe të qenurit me skrupuj sidomos nga partnerët tanë strategjikë siç janë SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në këto kushte propozime siç edhe ndodhen në projektligj ku një nga pikat është ajo e amnistisë edhe të pasurive të paluajtshme në vendet e tjera, pra jo në Shqipëri, krijon një precedent tejet të rrezikshëm. Sot që po flasim në Londër kanë nisur një sulm ndaj parave të pista të oligarkëve rusë ndërkohë që ne këtu hapim dyert për çdokënd që ka dëshirë të pastrojë pasurinë e tij dhe jashtë Shqipërisë.

Këtë të fundit e shesim si një dhuratë që po i bëjmë emigrantëve kur në fakt po duket qartë që qëllimi fundor nuk janë as shqiptarët dhe as emigrantët.

Përpos kësaj, çfarë rreziku tjetër ka ky ligj?!

Një çift të rinjsh të mire shkolluar dhe me një punë të mirë do t’i duhet të futen në një kredi për të blerë një apartament. Ato do të duhet të paguajnë interesat, që me gjasë në këtë situatë krize dhe inflacioni do të rriten, e një kredie që kanë marrë për të blerë një shtëpi. Kur të bëjnë llogaritë këtë vit dhe me gjasë edhe tjetrin do të duhet të masin forcat me inflacionin.

Pra, ky çift të rinjsh apo dhe një e re do t’i duhet të mundohet më shumë për të paguar kredinë e një shtëpie.

Ndërkohë që një person me të shkuar të errët kriminale apo dhe me shumë pikëpyetje mund të deklarojë një shtëpi që mund ta ketë blerë pak kohë më parë me para të pista të siguruara brenda apo jashtë vendit.

Apo akoma më keq mund të jetë një pronë e fituar nga korrupsioni dhe abuzimi me detyrën.

A mund të kemi barazi në këtë mes?! A ka moralitet dhe sens përgjegjshmërie?! Natyrisht që jo!

A e ndihmon buxhetin e shtetit një nismë e tillë? Mund të shërbejë kjo nisëm që bashkë me rritjen e suficitit për shkak të rritjes së çmimeve të mbyll plagët e vjetra të buxhetit?

Në ekonomi, buxheti i shtetit është një ushtrim në vazhdimësi dhe kjo do të thotë që nuk është problemi se si ne të gjejmë mekanizma për ta mbushur sot dhe deri nesër arkën por të gjejmë mekanizma se si të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme.

Që do të thotë një ekonomi të fortë dhe formale e cila është eficente dhe produktive jo vetëm për pasurimin e arkës së shtetit por mbi të gjitha për rritjen e të ardhurave për frymë të një vendi. Pasi në fund të ditës kjo është shenjë e përmirësimit të kushteve ekonomike të jetesës.

Sot arka e shtetit ka një suficit jo si pasojë e zotësisë së administratës tatimore, as politikave fiskale madje as politikave ekonomike të qeverisë. Suficiti vjen si pasojë e inflacionit, pra ato para në buxhet në të vërtetë janë para që i hiqen prej inflacionit xhepave të qytetarëve që varfërohen.

Pjesa më e bukur e gjithë kësaj historie është se qytetarët nuk e kanë të qartë se sa para mendon qeveria që do të mbledhë nga amnistia fiskale në arkën e saj. Pra nuk kemi një përllogaritje nga ana e qeverisë që të na tregojë se le të themi se amnistia fiskale parashikohet të jetë 1 mld euro në para dhe pasuri ndërsa tek të ardhurat do të ndikojë me një rritje 100 mln euro.

Në këtë pikë qeveria nuk është shprehur ndaj ne jo vetëm që nuk e dimë nëse realisht do të kishim suficit por ndër të tjera edhe nëse kemi një të tillë nuk kemi sigurinë absolute apo qoftë dhe minimale që këto para do të shkojnë në rishpërndarje.

Por e ri përsëris, i gjithë projektligji është stisur në një mënyrë të tillë që nuk i jep përparësi qytetarit por vetëm një pakice. Fjala vjen në projektligj i jepet autoritet më të madh institucioneve të krijuara nga qeveria se sa fjala vjen gjykatave aq sa mënjanimi i SPAK është evident dhe problematik.

Ndërkohë teksa jemi në mes të krizës së çmimeve ku inflacioni po njeh rritje, a rrezikon kjo nismë të rris edhe më tepër inflacionin dhe t’ja bëj më të vështirë jetën qytetarëve që jetojnë këtu?

Koha e përzgjedhur është totalisht e papërshtatshme jo thjesht për situatën në të cilën ndodhet vendi, pra problemet e përmendura më sipër, por edhe gjendja ekonomike.

Qeveria duket se ka një plan të detajuar por jo të menduar në detaj për qytetarët, që të godasë një shtresë të caktuar në shoqëri. Shtresën e mesme!

Janë një grup i madh qytetarësh që kanë shpenzuar për shkollimin, trajnimin dhe profesionin e tyre që po përballen jo vetëm me një sistem fiskal të vështirë dhe aspak miqësor, jo vetëm me një vizion ekonomik aspak në favor të tyre por mbi të gjitha me një realitet që nuk promovon mobilitetin social.

Shqipëria ka sot të reja dhe të rinj të kësaj fashe që as nuk e duan fare shtetin nëpër këmbë, që me një laptop bëjnë punën e tyre shumë mirë por që kanë nevojë vetëm t’u japësh kushtet dhe mbi të gjitha t’i ofrosh lirinë për të rrokur mundësitë.

Mirëpo fatkeqësisht qeveria ka 8 vite që nuk ka vepruar në interesin e tyre. Shqipëria sot mund të ishte një hub i madh për teknologjinë dhe një varët e teknologjisë së informacionit por nuk është sepse shumica largohen për të gjetur punë jashtë.

Arsyeja e ikjes në këto shtresa është mungesa e perspektivës dhe pabarazia e mundësive por dhe frenimi mobilitetit social.

Rritja e çmimeve, pra inflacioni i lartë, shoqëruar me paketa ligjesh që nuk ofrojnë oportunitet por ofrojnë regres në shoqëri dhe pabarazi normalisht që do të provokojë emigrim dhe largim. Ndërsa për ato që qëndrojnë një jetë përherë e më të vështirë.

Qëllimi i amnistisë, për ta ripërsëritur, nuk është që emigranti të vijë në Shqipëri dhe të legjitimojë punën e tij të ndershme jashtë vendit. Në të vërtetë është e kundërta, pra shtysa e atyre shqiptarëve të talentuar për tu larguar duke i zëvendësuar me qytetarë të tjerë që duan të pastrojnë bëmat e tyre!

Çdo person që është apo ka qenë subjekt i ligjit për deklarimin e pasurisë dhe konfliktit të interesit është përjashtuar nga mundësia për amnistinë fiskale, a i ka “larë” duart qeveria me këtë dispozitë pasi akuzohet çdo ditë nga opozita për korrupsion?

Këto janë klauzola që qeveria i hedh në treg sepse i merr shqiptarët për budallenj. Pyetja është se a kemi nevojë ne për një ligj të tillë kur problemet reale të Shqipërisë janë rritja e çmimit për energjinë, karburantet, ushqimet, buka, zarzavatet?! A kemi ne luksin të diskutojnë shqetësimin e kriminelëve që dikur Rama i kandidonte për bashki apo deputet dhe sot duke qenë se ka një ligj dekriminalizimi do t’i kandidojë përmes amnistisë penale dhe fiskale?!

Së fundi. A do të pengohet të kandidojë për deputet apo bashki apo të bëhet dhe drejtor dikush që deklaron pasuri miliona euro nga krimi dhe të ketë marrë certifikatën e “ndershmërisë” nga qeveria Rama?! Pra hiletë e qeverisë nuk kanë fund sepse qëllimi i saj është të legalizojë të keqen duke e amnistuar në fillim dhe më tej duke e promovuar.

FMN në 2020 ka dal kundër kësaj nisme, si e gjykon8 faktin e rikthimit në diskutim nga ana e qeverisë. Kujtojmë që erdhi menjëherë pasi nuk na u hapën negociatat?!

Ka disa mënyra për të rënë në sy dhe kryeministri jonë mendon se duke u sjellë si hokatar dhe duke folur me zë të fortë do të mund të kërcënojë BE-në për të na hapur negociatat.

Problemi është që atje askush nuk e merr seriozisht këtë mënyrë të sjellit, dakord mund të jesh në qendër të vëmendjes për disa orë mbase dhe një ditë por kaq. Nuk ndryshon asgjë.

Logjika e integrimit në BE, pra të qenurit pjesë e familjes, nuk është vetëm një akt politik por mbi të gjitha një përbashkim vlerash dhe qëllimesh.

E kam të qartë që për të arritur vlerat dhe normat e BE ne do të na duhen shumë vite, e mbase dekada, por fatkeqësia me këtë qeveri është se ajo nuk ka as dëshirën dhe gatishmërinë politike të vijojë këtë proces.

Rasti i amnistisë fiskale dhe penale që po diskutojmë është shembulli më perfekt. Kryeministri e risjell në diskutim për të shantazhuar Europën duke dëshmuar më shumë një sjellje të papërgjegjshme se sa një kërcënim real.

Vetë ky akt i parë në këtë prizëm flet shumë mirë për qeverinë dhe synimin e saj me këtë projektligj që me sa duket nuk është as tek emigrantët dhe as tek amnistia e mundit të tyre.