AKTUALITET, 18 Mars 2024, 22:33

Dhëndri i Trump kërkon Sazanin, Irena Beqiraj: Dhunim i ligjeve! Rama po vendos ligjin e të fortit

Dhëndri i Trump kërkon Sazanin, Irena Beqiraj: Dhunim i ligjeve! Rama

Ekspertja e ekonomisë dhe financave, Irena Beqiraj, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, foli për projektin e propozuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, për ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin, ku sipas mediave amerikane pritet të ndërtohen resorte, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka patur transparencë dhe informacion lidhur me këto lajme, por kryeministri Rama pranoi se ekziston një propozim i tillë. 

Beqiraj tha se Sazani është ende në Planin e Shpërndarjes së Forcave të Armatosura, ndaj miratimi i një projekti turistik apo qoftë rënia dakord privatisht nga kryeministri, pa dalë nga ky plan dhe pa u mbledhur Shtabi i Ushtrisë, është dhunim i ligjeve. 

"Sot Sazani, është akoma në Planin e Shpërndarjes së Forcave të Armatosura. Që të dalë nga ai plan duhet të mblidhet Shtabi i Ushtrisë, t'ja propozojë ministrit dhe pastaj të shkojë te Presidentit. E shoh si dhunim të të gjithë institucioneve të shtetit. Pra pa bërë procedurën e nxjerrjes së Sazanit nga plani, thotë do të ndërtoj xhevahirin e turizmit mesdhetar.

Nga e di zoti Rama që Ushtria do ta nxjerrë? Nga e di zoti Rama, që Presidenti do ta miratojë? Ne e kemi Presidentin të pavarur. Nuk e kuptoj se si një udhëheqës vendos ligjin e të fortit dhe nuk merr parasysh që shteti ka ndarje detyrash?

Një nga ish koleget tona, është në SPAK pikërisht sepse ka nxjerrë një pronë nga plani i shpërndarjes.

Dhunimi i ligjeve mbetet dhunim. E gjej të pavend, dhunim të institucioneve", tha Beqiraj.