AKTUALITET, 26 Nëntor 2025, 10:53

Detaje të reja/ Dalin pamjet e atentatorëve në Lushnje, si përfitoi “Juli i Pashakos” nga gabimi i tyre

Detaje të reja/ Dalin pamjet e atentatorëve në Lushnje, si

Publikohen pamjet nga atentati që ndodhi ditën e djeshme, 25 nëntor, në qytetin e Lushnjes. Shënjestër ishte 45-vjeçari J.S, i njohur me nofkën “Juli i Pashakos”, i cili arriti t’i shpëtojë breshërisë së armëve.

Kanë qenë në total tre autorë që i kanë bërë pritë 45-vjeçarit në rrugën “Misto Mame”. Ata kanë qenë të maskuar. I pari që ka dalë nga mjeti ka qëlluar me kallashnikov, ndërsa tjetri me pistoletë.

Ka qenë një vonesë e makinës së atentatorëve që i ka dhënë mundësi “Julit të Pashakos” t’i japë shpejtësi automjetit dhe të shpëtojë. Drejt makinës së tij janë qëlluar gjashtë plumba, ndërsa vetëm një e preku në këmbë duke e lënë të plagosur lehtë.

Siç duket, ai ka qenë në gjendje t’i shohë autorët e maskuar dhe brenda pak sekondave ka arritur të manovrojë në mënyrë të tillë që të largohet. Ai i është drejtuar disa miqve të tij dhe pas kësaj është dërguar në spital.

Gjithçka ka ndodhur në vetëm 10 sekonda.

Duke parë mënyrën e atentatit, policia dyshon se autorët kanë qenë vrasës me pagesë dhe kanë dashur që ditën e djeshme shënjestrën ta eliminojnë përfundimisht. 15 minuta më pas në fshatin Lifaj u gjet e djegur makina e autorëve brenda së cilës ndodheshin edhe armët e krimit, një pistoletë dhe kallashnikov.

“Pistat e hetimit janë të shumta. Jo vetëm e kaluara e shënjestrës, por edhe veprimtaria e tij aktualisht prej një viti që ndodhet në qytetin e Lushnjes, si në fushën e biznesit, të politikës, por edhe narkotrafikantëve. Janë disa pista që tashmë janë në fokusin e policisë. Janë rreth 20 persona të shoqëruar”, raportoi gazetarja Sefa.

45-vjeçari është një emër i njohur për policinë, pasi në të shkuarën ka qenë i dënuar për drogë, si dhe i dyshuar në disa ngjarje të rënda kriminale.

Mes tyre masakra e Lushnjës në 2017, që si shënjestër kishte nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurtin, por ku mbetën të vrarë miqtë e tij Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.

Sulo njihet si kundërshtar i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, megjithatë në atentatit ndaj nipit të tij, nuk iu provua përfshirja.