TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka dështuar edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Komisioni për Çështjet Ligjore u mblodh mëngjesin e 23 majit për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Por deri në afatin e përcaktuar të dielën, nuk ishte paraqitur asnjë kandidaturë.
Në këto kushte, kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka tha: “Edhe për këtë raund nuk ka kandidatura, raundi i dytë quhet i kryer”.
Partia Demokratike u tërhoq të premten nga procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit në raundin e dytë me akuzën ndaj maxhorancës se prishi marrëveshjen e arritur ditën e mërkurë.
Ora 16:00 ishte afati i fundit për të depozituar kandidatët në protokollin e Kuvendit, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Në fakt një gjë e tillë është paralajmëruar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në prononcimin për mediat javën e kaluar, Rama tha se PS nuk i ka 84 vota, ndaj deri në raundin e tretë nuk do të propozojë asnjë emër. Kjo u konfirmua të mërkurën që shkoi edhe nga kreu i Grupit Parlamentar dhe numri dy i PS-së.
Në fakt, në raundin e dytë dhe të tretë u vendos që kandidaturat të propozohen nga opozita, konkretisht nga një pjesë e grupit të PD-së.
“Palët bien dakord paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kriteret e dakordësuara publikohen menjëherë; opozita parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1.
Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik; maxhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh”, thuhej në tri pikat e para të marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Kryesinë e Kuvendit ditën e mërkurë.
Por duket se procesi mbeti në gjysmë dhe një gjë e tillë, mesa duket, ishte parashikuar nga lidershipi i demokratëve. Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar, propozuan emrat e tyre vetëm një pjesë e vogël deputetësh.
Ndërkohë, nuk patën asnjë emër për President as Enkelejd Alibeaj, as Gazment Bardhi e as Jorida Tabaku.
E ndërsa grupi opozitar po priste edhe dy emrat e aleatëve dhe më pas t’i nënshtroheshin një votimi brenda grupit për të zgjedhur 4 kandidaturat që do t’i dërgonin PS-së, Alibeaj njofton anulimin e mbledhjes, me pretendimin se PS kishte shkelur pikën 4 të marrëveshjes.
Maxhoranca tha se ishte e gatshme të diskutonte kandidaturat që sjell opozita dhe nëse do ta shikonte ndonjë kandidaturë të përshtatshme, do ta votonte, por nuk pranoi të firmoste kandidaturën që propozonte PD, pra që kandidatura të shkonte në Parlament me vota të përbashkëta.