AKTUALITET, 7 Mars 2023, 22:20

"Derën e kanë të hapur“/ Alibeaj përsërit ftesën për kandidatët e Berishës: Hajdeni në listat e grupit tim!

"Derën e kanë të hapur“/ Alibeaj përsërit
Enkelejd Alibeaj

Enkelejd Alibeaj, i komanduar kryetar me autorizim të Lulzim Bashës 4 ditë përpara se të jepte dorëheqjen më 22 mars 2022, i bëri një ftesë tjetër sonte Partisë Demokratike për të arritur atë që ai e cilësoi si “të vetmen mënyrë për të rrëzuar qeverinë”.

Edhe pse Partia Demokratike ka refuzuar çdo kontakt me grupin e Bashës dhe Alibeajt, të cilësuar nga Berisha si pengje të Ramës, Alibeaj, pasi mori vulën e partisë nga Gjykata e Apelit, ka bërë disa herë ftesë për kandidatët e Primareve, duke folur si kryetar i Partisë Demokratike, për të cilën tha dje se është dhe ndihet.  

Gjatë një takimi me strukturat e PD-së në degën 12 në Tiranë, Alibeaj u shpreh i gatshëm të fusë në listat e grupit që po përgatit për zgjedhjet e 14 majit edhe kandidatët e dalë nga primaret e “Rithemelimit”.

“Zgjedhjet janë çështje e shqiptarëve, ne do të duhet t’u shërbejmë atyre. Oferta jonë duhet të jetë pikërisht ndaj shqiptarëve. Vetëm kështu futemi të bashkuar dhe me shanse shumë të mira për të qenë të suksesshëm. Vetëm kështu mund dhe ia dalim, të bashkuar”, tha Alibeaj.

“Nga kandidatët e primareve tona të bëra në 2021 po e po, por edhe kandidatët të dalë nga primaret e Rithemelimit dhe kandidatura të tjera që ofrohen dhe gëzojnë reputacion në komunitet, derën e kanë të hapur. Një kandidat për demokratët, ky është qëndrimi që kemi ne”, tha Alibeaj.

Ditën e djeshme, pas mbledhjes së Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve, ishte rënë dakord ngritja e një grupi prej 3 deputetësh, Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha, të cilët u mandatuan për të biseduar me grupin e Rithemelimit për çështjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët për një kandidat të Partisë Demokratike.