AKTUALITET, 7 Mars 2023, 17:57

"Nuk mund të përdoret një parti si pronë e dikujt"/ Alibeaj flet një vit pasi Basha i dha drejtimin e PD-së me autorizim

"Nuk mund të përdoret një parti si pronë e
Alibeaj dhe Basha

Kryetari i komanduar i PD-së me autorizim të Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj, gjatë një takimi me demokratët e Tiranës, ka shprehur qartë se fokusi kryesor tashmë pas vendimit për vulën duhet të jetë te zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Ai u shpreh se një parti nuk mund të përdoret si pronë e dikujt, edhe pse një vit më parë atij iu besua drejtimi i PD-së nga Lulzim Basha, 4 ditë përpara se të jepte dorëheqjen zyrtarisht.

Ashtu si edhe dje, pasi bëri mbledhjen në një hotel, Alibeaj tha se nuk ka triumfalizëm pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Ai deklaroi se kishte qenë i bindur, se gjykata do të merrte atë vendim, sepse ka zbatuar ligjin, sipas tij.

"Nuk kemi qenë ne shkaktarët, ju jo e jo. Keni besuar te vlerat e PD, ndaj këtë do doja si mesazh të parë t’ua sugjeroja. Kurrëfarë triumfalizmi nuk duhet të kemi ne lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit. Unë kam qenë i bindur, se një gjykatë që zbaton ligjin këtë vendim do merrte.

PD nuk mund të jetë parti e një personi, nuk mund të jetë pronë private. Është parti, është organzimim që ka brenda mundin dhe sakrificën e shumë e shumë demokratëve, që besojnë në vlerat tona.

Nuk mund të përdoret një parti si pronë e dikujt. Asnjë shenjë revanshizmi, asnjë sinjal triumfalizmi. Ne jemi dhy muaj para zgjedhjeve lokale dhe fokusi kryesor i demokratëve, janë zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Fokusi kryesor i të gjithë neve duhet të jenë zgjedhjet lokale. Ua kërkoj demokratëve të çdo lloj niveli, në çdo kontakt tonin me demokratët dhe qytetarët të fokusohemi te zgjedhjet lokale. Zgjedhjet lokale nuk janë vetëm një marrëdhënie mes partive politike dhe anëtarësisë, më shumë se kaq janë çështje e shqiptarëve"-u shpreh Alibeaj.