TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
"Duhet përzgjedhur mësuesi, duhet motivuar". Ky është mesazhi i Përparime Kasoruhos, mësuese letërsie në pension, në këtë 7 Mars.
Mësuesi ka 7 Marsin po 7 Mars duhet ta ketë përditë. Duhet ta bëjë detyrën i përkushtuar dhe nxënësit ta respektojnë shkollën. Të heqin dorë nga disa vese që i kultivoi koha. Nxënësit sot janë shumë të avancuar sepse punojnë me teknologjinë. Por fakti se e kalojnë kohën më të madhe celular në dorë është e palejueshme. Kënaqësinë që të jep libri kur e lexon…"
Ajo ka dhënë mësim për mbi 20 vite në gjimnazin "Asim Zeneli" në Gjirokastër, në të cilin janë shkolluar figura të shquara letrare.
E ftuar në Rtv Ora ajo thotë se mesatarja është një element kyç në përzgjedhjen e arsimtarëve.
"Në brezin tim, inspektorët e Komitetit Ekzekutiv thoshin se ne mendohemi mirë se kë do të çojmë mësues në gjimnazin me tradita "Asim Zeneli". Nuk kishte mësues që të vinte me mesatare poshtë 8".
Uljen e mesatares e sheh të lidhur me mungesën e dëshirës së të rinjve për të ndjekur këtë profesion.
"Është ulur për vetë kushtet se unë shikoj se jo të gjithë kanë dëshirë të shkojnë për mësues. Gjinia mashkullore nuk ka shumë dëshirë. Por duhen motivuar, rrogat po ngrihen, dëshira duhet kultivuar. Por mesatarja duhet të jetë një kriter për mësuesit, duhet të ketë bagazh, kulturë dhe pasion. Ai pasion na ka mbajtur".
Në maj 2022, Ministria e Arsimit dhe Sportit Evis vendosi disa ndryshime në kriteret e pranimit të studentëve në disa nga programet e studimit të ciklit bachelor. Maturantët që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5, do të mund të aplikojnë për programe studimi të gjuhëve të huaja, si dhe për disa programe të tjera që kanë synim profesione të ndryshme, përveç mësuesisë.
Për ata që synojnë të bëhen mësues mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5, por për studentët e tjerë që synojnë të vijojnë studime për një tjetër profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf, etj. kjo mesatare pranimi mund të jetë minimalisht 6,5.
Ata që do të aplikojnë në këto programe studime do të pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi, i cili nuk lejon ndjekjen më pas të programeve të ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.
Ky vendim, tha ministria, do të rrisë numrin e studentëve në programet e studimit të gjuhëve të huaja dhe në disa programe të tjera studimi që mundësojnë profesione të ndryshme përveç mësuesisë, por ekspertët janë të shqetësuar për formimim e mësuesve të ardhshëm.