AKTUALITET, 7 Mars 2023, 19:03

Berisha takon mësuesit: Në 9 vite janë mbyllur 760 shkolla, Veliaj i ndërton me 6 milionë euro, kur bota i bën me 650 mijë

Berisha takon mësuesit: Në 9 vite janë mbyllur 760 shkolla,
Berisha gjatë takimit me mësues

Kryetari i PD, Sali Berisha konstaton se në 9 vite janë mbyllur 760 shkolla në vend. Gjatë takimit me mësues Berisha tha se është reduktuar në mënyrë të frikshme numri i nxënësve për shkak të shpopullimit që ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes.  

"Kjo qeveri ka kryer një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve me krijimin e kushteve për shpopullimin e vendit. Janë mbyllur 760 shkolla, është reduktuar në mënyrë të frikshme numri i mësuesve. Mësuesit shqiptarë sot paguhen dy herë më pak se mësuesit në Kosovë, Mal të Zi dhe se mësuesit në çdo vend të rajonit. 9 vite më parë ata kishin pagat më të larta në rajon. U bë një përpjekje e madhe për të ngritur një infrastrukturë moderne arsimore. U ndërtuan në një hark kohor 8-vjeçar mbi 1300 shkolla, kopshte dhe institucione të tjera të arsimit. U shtri interneti në çdo shkollë, u bënë përpjekje të mëdha për modernizimin e mësimdhënies. Shqipëria pati ngjitje vertikale në sistemin e Pizas. Sigurisht që ishte larg pozicionit që do të donim, por ngjitja ishte vertikale dhe kjo ishte meritë e mësuesve tanë. 
Universitetet u shndërruan në universitete të dyerve të hapura për fëmijët e shqiptarëve", tha Berisha. 

Berisha ka akuzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij si shkatërrimtarë të sistemit arsimor në vend, gjatë një takimi me disa mësues në Tiranë.

Berisha tha se kryebashkiaku Erion Veliaj ndërton shkolla me 6 milionë euro, ndërsa në shtetet perëndimore ndërtohen me 650 mijë euro. Ai tha se sot mësuesit detyrohen të shprehin pëlqimin ndaj qeverisë, përmes aplikacioneve dhe metotave të një organizate kriminale.

“Në Shqipëri kryetari i Bashkisë ndërton shkolla me 6 milionë euro, si në asnjë vend tjetër të botës. Po si? Vjedh 30% përqind të fondit të saj. Në Europë, ku janë pagat shumë më të larta, shkollat ndërtohen me 650,000 euro, me të gjitha pajisjet dhe ambientet. Edi Rama e shkatërroi sistemin arsimor shqiptar, ata shohin se si të pasurohen vetë.

Vendimi i Edi Ramës për të caktuar rektorin e Universitetit të Tiranës me një pengmarrës, sepse donte që tenderat t’i fitonte ai. Mësuesit sot dhe punonjësit e administratës janë shndërruar në skllevër, të cilët detyrohen të shprehin pëlqimet, në një organizatë kriminale. Ju garantoj se PD ndryshimin e Shqipërisë do ta fillojë nga mësuesit”, tha ndër të tjera Berisha.

Ai u premtoi mësuesve se me të ardhur në pushtet do të dyfishohen pagat dhe buxheti për arsimin. 

"Në vitin 2005 ne u zotuam se ndryshimin e Shqipërisë do ta fillojmë me mësuesit, me arsimin. U bënë përpjekje të mëdha, natyrisht objektivat nuk mund të them se u realizuan plotësisht, por mësuesia u shndërrua përsëri në një profesion ashtu siç është, fisnik i nderuar, mësuesit nuk kërkonin të largoheshin nga arsimi, infrastruktura po modernizohej. 

Partia Demokratike në pushtet përsëri ndryshimin e Shqipërisë do ta fillojë me mësuesit. Do të ndryshojmë kushtet, jetën, trajtimin, qëndrimin ndaj tyre. Do të fillojë ndryshimi i Shqipërisë. 

Shqipëria në këtë drejtim që ecën, drejt një shkretimi si asnjë komb tjetër, drejt një varfërimi në rritje, të faktuar. Lexoja dy ditë më parë një statistikë për treguesit e ushqimit. Zero progres Shqipëria në dallim nga shumë vende të tjera, në ushqimin e fëmijëve. Zero progres nga 2014 e deri sot. Zero progres tregoi Piza në studimin që u bë gjatë viteve që janë këta në pushtet. Rrënim i infrastrukturës në tërësi. 

Ndaj dhe ne do të dyfishojmë rrogat e mësuesve, do të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Do të bëjmë gjithçka që shkollat të marrin funksionet e tyre. Universitetet janë bërë një objektiv sulmi ndaj një njeriu që për injorancën e tij totale, mburret se unë nuk kam as gradë as titull, duke treguar me këtë se cili është koncepti i tij për djersën e derdhur, lartësimin, djersën e derdhur në kërkimin shkencor, në hulumtime, publikime, sepse gradat dhe titujt janë një përpjekje shtesë e secilit profesionist për të kapur nivele të tjera, kurse ky e thotë me mburrje.  

Kriteri i tij është të përzgjedhë njerëz pa kurrëfarë merite, por vetëm kleptokratë që vjedin nga mëngjesi deri në darkë", u shpreh ai.