AKTUALITET, 17 Gusht 2023, 14:25

Deputetja e PD-së: Koncesionet në shëndetësi kanë pasuruar ministrat e miqtë e tyre

Deputetja e PD-së: Koncesionet në shëndetësi kanë

Deputetja e PD-së, Zheni Gjergji, ka reaguar pas urdhër arresteve të SPAK për koncesionin e sterilizimit.

Ajo shprehet se PPP-të e qeverisë Rama i shkaktuan milion euro dëm buxhetit të shtetit dhe se shëndetësia është sektori më i prekur nga korrupsioni.

Deputetja shkruan se “koncensionet në shëndetësi janë afera korruptive që kanë pasuruar në mënyrë të paligjshme Ministrat e Shëndetsisë e miqtë e tyre”.

Reagimi i Kryetarës së Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji:

Qeveria Rama do të mbahet mend nga shqiptarët si Qeveria e PPV-ve abuzive dhe që kanë shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Më së shumti koncensionet në shëndetësi janë afera korruptive që kanë pasuruar në mënyrë të paligjshme Ministrat e Shëndetsisë e miqtë e tyre, duke prekur drejtpërdrejt cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë.

Shëndetësia është sektori më i prekur nga korrupsioni dhe abuzimet me pushtetin dhe si Kryetare e Komisionit përgjegjës të shëndetësisë, por edhe si mjeke, shpreh mbështetjen e plotë ndaj SPAK për hetimin e thellë dhe të gjithëanshëm të aferave në sektorin e shëndetësisë.

Parat e Buxhetit të Shtetit duhet të shpenzohen me përgjegjshmëri në dobi të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Edhe pse paguajmë miliona euro çdo vit, shpesh qytetarëve u mungojnë shërbimet bazë në spitalet tona.

Duke vlerësuar punën e SPAK, nxis që të veprohet me shpejtësi që dëmet ekonomike e ato në vlera njerëzore të mos vazhdojnë të prekin jetën e shqiptarëve.

Përgjegjësi kryesor, ish Ministri i Shëndetsisë Ilir Beqja duhet të ishte sot personi që duhej të përgjigjej para drejtësisë. Favorizimi prej tij i kompanive fantazëm të miqëve të tij nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar.

Drejtësia vonon po nuk harron!

Të paudhët që prej 10 vitesh po tallen me jetën e shqiptarëve duhet dhe do të përgjigjen para drejtësisë!