TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjashtë personat e arrestuar në kudër të operacionit të koduar “Flakë në det” janë lënë në masën e sigurisë arrest me burg, mes tyre edhe një ish punonjës policie, Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë.
Po ashtu me të njëjtën masë sigurie janë lënë edhe pesë personat e tjerë, Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
OPERACIONI SIPAS POLICISË
6 trafikantë, mes tyre 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas, kanë rënë në pranga të Policisë nga një operacion ndërkombëtar antidrogë, i zhvilluar dy net më parë në qarkun e Lezhës, në det të hapur (Adriatik), rreth 18 milje larg Lagunës së Patokut. Policia goditi trafikantët e drogës, të cilët po bënin shkëmbimin e lëndës narkotike, të kokainës me kanabis, në mes të detit Adriatik dhe vuri në pranga shtetasit Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef policie; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, nipi i Gëzim Çelës i njohur si ‘baroni i kokainës’, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2014, pasi forcat speciale gjetën në vilën e tij 18 kilogramë kokainë, 150 kilogramë kanabis dhe një laborator lëndësh narkotike. Në të njëjtin aksion në Kosovë u sekuestruan 50 kilogramë heroinë dhe kokainë që dyshohej se ishin paketuar në Fushë-Kuqe.
Në pranga kanë rënë edhe Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë. Po ashtu u arrestuan edhe dy shtetas nga Ukraina Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç dhe Kostiantyn Biellon, 44 vjeç. Dy ukrainasit, të cilët udhëtonin me velierën me drogë, ishin nisur nga Mali i Zi. Ata i vunë flakën velierës dhe tentuan të ikin me një varkë shpëtimi, por u arrestuan. Në det policia gjeti 23 kg kanabis pranë vendit ku u fundos veliera e djegur.
NDËRHYRJA
Operacioni antidrogë u zhvillua nga policia shqiptare në bashkëpunim me Gurdia di Finanza. Në një konferencë për mediat, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, tha se operacioni nisi pasi strukturat monitoruese në terren, vunë re lëvizjen me shpejtësi të një gomoneje, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin.
Gomonia është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas trafikantët që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike. Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries. Trafikantët e drogës që ndodheshin në velerie, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.
Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me SPAK-un, u bë arrestimi për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”.