AKTUALITET, 19 Maj 2022, 23:30

Deputeti gjerman i CDU/CSU: Nëse vjen Berisha, PD duhet të pezullohet nga PPE

Deputeti gjerman i CDU/CSU: Nëse vjen Berisha, PD duhet të pezullohet

Deputetin kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum ka bërë një deklaratën e parë të fortë kundër ish-kryeministrit Sali Berisha në qarqet evropiane. Ai është folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian dhe një njohësi i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, por edhe në Ballkanin Perësindimor. Në një intervistë të gjatë që ka dhënë për Detutche Welle ai ka qenë mjaft i prerë për rikthimin e Berishës në krye të PD.

“Së pari, më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi. Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit.

Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara” – tha Krichbaum.


I pyetur nga DW nëse do ta refuzojnë PD-në, nëse në krye të saj vjen Sali Berisha, ai thotë: “Besoj se u shpreha qartë ashtu siç e thashë. Partia lipset të marrë një vendim të mençur dhe të marrë parasysh efektin në planin ndërkombëtar, nëse në të vërtetë ndjek pretendimin se jo vetëm dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit.

Ky është qëllimi legjitim i një partie në demokraci: që të vijë në pushtet e të formojë qeverinë. Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar” – tha Krichbaum.