AKTUALITET, 24 Qershor 2022, 10:07

Deputetët e PD kërkojnë heqjen e mandatit të Xhaçkës, sot do të mblidhet Këshilli i Mandateve

Deputetët e PD kërkojnë heqjen e mandatit të

Ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Rreth orës 10:30, do të shqyrtohet mocioni i 1/10 i deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Mbledhja u kërkua nga opozita, pas akuzave se bashkëshorti i Xhaçkës ka përfituar si investitor strategjik tokë në bregdet.

“Dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore, që ndalojnë deputetin dhe për efekt të ligjit bashkëshortin e tij, të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit, që passjell mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas neneve 70/2-3 dhe 71/2/c të Kushtetutës” – thuhet në mocionin e dorëzuar nga deputetët e PD.

Në mocionin e deputetëve demokrat sqarohet se nga dokumentacioni bashkëlidhur rezulton e provuar se shoqëria tregtare AG. TÇ shpk ka përfituar të drejtën për të kryer veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve në fushën e turizmit, në kohën në të cilën ka ushtruar mandatin e deputetit.

“Ligji nr. 9367/2005 parashikon shprehimisht në nenin 35 të tij se “në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (që sipas ligjit është bashkëshorti), ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit. Për pasojë, në kuptim të ligjit dhe për efekt të zbatimit të ndalimit kushtetues/ligjor, shoqëria tregtare AG. TÇ shpk konsiderohet në pronësi të vetë ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka.

Për pasojë, përfitimet nga pasuria e shtetit, që burojnë nga vendimi nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES”, janë përfitime të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka.” – sqarojnë deputetët e opozitës.