AKTUALITET, 18 Maj 2026, 11:49

Depoziton kërkesën/ Salianji ankimon zyrtarisht përjashtimin e tij nga gara për kryetar të PD: Jam penguar në mënyrë të paligjshme

Depoziton kërkesën/ Salianji ankimon zyrtarisht përjashtimin e

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka ankimuar këtë të hënë zyrtarisht përjashtimin e tij nga gara për kryetar të PD-së.

Ish-deputeti demokrat  e ka depozituar kërkesën zyrtare pranë Kryesisë së Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, ku kërkon shpalljen të pavlefshme të çdo vendimmarrjeje për përjashtimin e tij nga partia, si edhe anulimin e vendimit nr.120, datë 1 maj 2026, të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.

Në dokumentin voluminoz, Salianji pretendon se kandidatura e tij për kryetar të PD-së është penguar në mënyrë të paligjshme, duke deklaruar se dokumentacioni i dorëzuar fizikisht, me postë dhe email, nuk është marrë në shqyrtim. Ai kundërshton gjithashtu pretendimet për përjashtimin e tij nga anëtarësia dhe kërkon që çdo vendim i tillë, nëse ekziston, t’i vihet në dispozicion për ndjekjen e procedurave statutore.

Në kërkesë, Salianji ngre edhe pretendime për mospërputhje statutore në kandidimin e Sali Berisha për kreun e PD-së, duke kërkuar shqyrtim të plotë nga organet statutore të partisë dhe zhvillimin publik të çdo seance dëgjimore mbi çështjen.

Dokumenti mbyllet me kërkesën për shfuqizimin e vendimeve që, sipas Salianjit, bien ndesh me statutin dhe me parimet demokratike të funksionimit të partisë.