AKTUALITET, 30 Tetor 2022, 10:30

Del VIDEO/ Si ndodhi plagosja te “Kodra e diellit”

Del VIDEO/ Si ndodhi plagosja te “Kodra e diellit”

Janë publikuar pamjet e momentit kur Olsi Bllaci plagosi fqinjin e tij, Jonian Shehu mbrëmjen e së enjtes në zonën e njohur si “Kodra e Diellit” në Tiranë. Ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive banale.

Tv Klan ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë të një prej pallateve pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Fillimisht konflikti ka qenë verbal dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armës.

Siç shihet nga pamjet 35-vjeçari, Shehu del nga pallati me vrap në tentativë për t’u larguar, por Olsi Bllaci e ndjek nga pas për ta qëlluar. Ndjekja vazhdon për disa sekonda. Më pas Bllaci hap zjarr në drejtim të fqinjit të tij. Ndonëse i plagosur ai arrin të largohet me vështirësi nga ngjarja.

Në pamje shihet se shfaqet dhe një zonjë. Ajo rezulton të jetë bashkëshortja e Olsi Bllacit, i shpallur në kërkim për këtë ngjarje. Referuar hetimeve të kryera nga policia dhe prokuroria shkak i konfliktit është bërë zhurma që bënte fëmija i mitur i autorit të dyshuar, që ka çuar më pas në përplasjen mes prindërve.

I plagosuri vijon të jetë ne spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. “Kodra e diellit” është një zonë  e njohur rezidenciale në Tiranë. /Tv Klan