AKTUALITET, 8 Mars 2022, 13:39

Del përpara gjykatës autori i dyshuar i vrasjes së dy grave në Devoll

Del përpara gjykatës autori i dyshuar i vrasjes së dy grave
Ali Zili

Mbërrin në Gjykatën e Korçës, Ali Zili, autori i dyshuar i vrasjes në mënyrë makabër me sende të forta të dy grave në Devoll, Fatmira Bami dhe Bukurie Bami.

Në foton e mësipërme autori shihet i qetë përpara trupit gjykues i cili do t’i caktojë masën e sigurisë.

Ali Zili, gjatë të shtunës deklaroi se i vrau dy të moshuarat pasi nuk i kishin paguar lekët e druve.

“I vrava sepse nuk më kishin shlyer lekët e druve të zjarrit. Vrasjen e kam kryer një ditë më parë. Pas ngjarjes jam larguar nga fshati dhe kam ikur në Korçë. Atë natë nuk u ktheva në shtëpi.

KRIMI I RËNDË

Fatmira Bami dhe Bukurie Bami, nuse dhe vjehërr, u gjetën të vrara në banesën e tyre në fshatin Progër të Devollit. Gratë 60 dhe 80-vjeçare ishin goditur dhe dhunuar për vdekje nga autori i dyshuar 36-vjeçar, Ali Zili. Ngjarja e rëndë u zbulua nga banorët e fshatit dy ditë pas krimit makabër në banesën e grave.

Një nga fqinjët e grave kishte shkuar te banesa e tyre për t’iu çuar disa kokrra mollë, kur ka parë në oborr një skenë të dyshimtë, një celular dhe proteza dhëmbësh, por edhe një njollë gjaku, e më tej nga dera e hapur e korridorit dukej trupi i shtrirë në tokë i 80-vjeçares.

Ajo lajmëroi një fqinj tjetër e më pas thirrën kryeplakun për të njoftuar Policinë. Blutë e Korçës u përballën me një skenë të frikshme: dy gra të vrara barbarisht me mjete të forta dhe të goditura me grushte deri në vdekje. Ali Zili, autori i dyshuar i këtij krimi, u arrestua pak orë pas zbulimit të skenës së krimit.

Motivi i vrasjes, sipas tij, kishte të bënte me një borxh të viktimave për drutë e zjarrit, por kjo hidhet poshtë nga i vëllai dhe nga Policia po ashtu. Pas disa orësh marrjesh në pyetje, ai ka pranuar se kishte qëllim grabitjen.