AKTUALITET, 16 Janar 2023, 20:23

Dekorimi i ambasadorit që denoncoi masakrën e Reçakut në Kosovë, Lulzim Basha dhe gruaja shfaqen në Presidencë

Dekorimi i ambasadorit që denoncoi masakrën e Reçakut në

Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, u shfaq, bashkë me gruan në Presidencë, në krah të presidentit Bajram Begaj, në ceremoninë e dekorimit të njeriut që bëri publike për botën masakrën e Reçakut. Basha, mori pjesë në ceremoninë e ambasadorit Walker, të cilin e pasqyroi edhe në rrjetet sociale. Bashkë me Bashën, në event ishin edhe deputetë të tjerë të PD-së dhe personalitete nga Kosova. Basha punoi disa vite në trupën e UNMIK në Kosovë, përpara se të vinte në Shqipëri në vitin 2004 për t'u përfshirë në politikë, me ndihmën e Berishës, që e bëri ministër dhe më pas kryetar të PD-së deri në pranverën 2022, kur dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, për t'ia deleguar drejtimin Enkelejd Alibeajt. 

Postimi i Bashës

I lumtur të isha pjesë e ceremonisë së nderimit të Ambasadorit William G. Walker, me një nga titujt më të lartë të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhërit të Flamurit” akorduar nga Presidenti i Republikës.

Ne shqiptarët jemi përjetë mirënjohës dhe me fat që kemi miq të tillë si Ambasadori Walker.

Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, ai u shndërrua në zërin e të vërtetave të dhimbshme të Kosovës në kohët më të vështira, çka solli ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për krimet dhe spastrimin etnik që po kryente regjimi i Milosheviçit në Kosovë.

E ndërsa përpjekjet për të barazuar viktimën me agresorin vazhdojnë nga politika e Beogradit, Ambasadori Walker mbetet zëri i fuqishëm i së vërtetës, i masakrave dhe genocidit mbi popullin e pafajshëm të Kosovës dhe një mik i vyer që vazhdon ti gjendet pranë asaj dhe shqiptarëve kudo ku janë.