AKTUALITET, 3 Dhjetor 2025, 22:40

BSH i hap rrugë licencimit të bankës së parë digjitale në Shqipëri

BSH i hap rrugë licencimit të bankës së parë digjitale

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i ka hapur sot rrugën licencimit të JET Bank, institucionit financiar që synon të bëhet banka e parë plotësisht digjitale në vend.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të japë miratimin paraprak për licencimin e bankës JET Bank, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.

JET Bank synon të jetë banka e parë në Shqipëri që operon në mënyrë tërësisht digjitale, duke kombinuar një teknologji të avancuar me një model të thjeshtë, të sigurt dhe të përqendruar te klienti. Misioni i saj është të prezantojë një model të ri shërbimi financiar, të ndryshëm nga modelet tradicionale bankare.

Gjatë mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera lidhur me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.