AKTUALITET, 30 Tetor 2025, 21:34

Bllokimi i aeroportit të Vlorës, Tomorri: Asetet strategjike nuk mund t’u jepen sekserëve dhe biznesmenëve si Pacolli dhe Ademi

Bllokimi i aeroportit të Vlorës, Tomorri: Asetet strategjike nuk mund

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se sherri dhe akuzat mes aksionerëve të aeroportit të Vlorës, tregoi se tashmë po mbahet peng një investim strategjik që pritej t’i sillte zhvillim zonës. Tomorri tha se sekuestrimi i aeroportit do të jetë zgjidhja më logjike. 

“Ajo që po ndodh është se çështja ka shkuar në prokurori ku palët akuzojnë njëra-tjetrën. Valon Ademi ka bërë kallëzim penal për Behgjet Pacollin. Pacolli ka bërë kallëzim penal ndaj noteres dhe ish-administratorit për mashtrime, lidhur me shitjen e aksioneve. Thuhet se është një kontratë noteriale.

Ky është një sherr që mban të bllokuar një aset strategjik që mban peng ekonominë. Sot qytetarët shqiptarë nuk kanë një aeroport në Vlorë, nuk ka aeroport që do t’i sillte zhvillim se dy aksionerë zihen për mashtrime. Kjo në finale na tregon se asetet strategjike nuk mund t’u jepen sekserëve dhe biznesmenëve të tipit të atyre të dyve që janë ortakë. Është shndërruar puna që ai aeroporti duhej hapur që në prill. U përurua edhe para fushatës, erdhi Pacolli me avionin e tij dhe nuk u hap dhe nuk dihet se si do të shkojë dhe sa vite do të marrë kjo çështje.

Ai opsioni i sekuestrimit do të jetë zgjidhja më logjike”- tha Klodian Tomorri.