AKTUALITET, 10 Maj 2024, 20:53

Berisha: Vizita e Ramës në Greqi provokim! I thanë se nuk është i ftuar dhe prapë po shkon

Berisha: Vizita e Ramës në Greqi provokim! I thanë se nuk

Kreu i PD-së Sali Berisha e ka cilësuar vizitën e kryeministrit Rama në Athinë që pritet të mbahet në datën 12 Maj si provokim.

Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha deklaroi se vizita është një akt cinizmi ekstrem, pasi sipas tij në 10 vitet e fundit mbi 33% e shqiptarëve janë larguar nga vendi pikërisht nga keqqeverisja e Ramës.

Berisha u shpreh se ky takim organizohet si një provokacion, ndërsa shtoi se edhe pse Rama u njoftua nga palët greke (referuar deklaratës së Mitsotakis) se nuk i ishte i ftuar sërisht do të shkojë.

Fjala e Berishës:

"Të dashur miq, njeriu që me politikat që ndoqi, me vjedhjet e tmerrshme që u bëri shqiptarëve, me vrasjen e shpresës së tyre duke shndërruar krimin në votë dhe votën në krim, de facto përzuri nga Shqipëria në 10 vite mbi 1.1 milion shqiptarë, mbi 33 përqind të shqiptarëve, përgatit në një akt cinizmi ekstrem, në një akt provokimi të turpshëm, takimin me patronazhistët dhe aktivistët e tij që kanë nisur që dje vërshimin drejt Greqisë për të stimuluar një takim me diasporën shqiptare. Në moton ‘Shqipëria e viteve 2030’.

Miqtë e mi, takimin me diasporën të një politikani shqiptar nuk është e nevojshme ta komentosh. Është gjëja më normale. Por kur takimi organizohet si një provokacion, duhet vetëm ta dënosh. Së pari ne jemi shqiptarë. Fqinjë mijëravjeçarë me grekët në këtë rajon. Por ne kemi një shprehje të hershme sa vetë mikpritja jonë: kush gjen pa ftuar, e gjen pa shtruar. Në mënyrë të përsëritur, autoritetet zyrtare greke kanë deklaruar se Edi Rama vjen i paftuar.

Natyrisht Greqia është djepi i demokracisë dhe nuk imagjinon të ndalojë tubimet apo takimet. Por, tradita shqiptare e kërkon të mbash mend këtë parim të mikpritjes sonë. Nuk shkohet pa ftuar, aq më tepër kur je njoftuar se je i paftuar".