AKTUALITET, 20 Shkurt 2026, 22:25

Berisha: Protesta e radhës kombëtare do të njoftohet shumë shpejt

Berisha: Protesta e radhës kombëtare do të njoftohet shumë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në mbyllje të protestës kombëtare të 20 shkurtit, nga selia e kësaj partie, deklaroi se tani është koha e qytetarëve, e guximit dhe e përgjegjësisë qytetare.

Ai falënderoi protestuesit duke theksuar se ata presin me padurim aktin e radhës të kryengritjes paqësore.

“Do t’jua njoftojmë shumë shpejt. Do të jetë kombëtare. Do të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria. Edhe një herë, mirënjohje të pakufishme, përgëzime, guximtarë, që mposhtet në sheshet dhe rrugët e Tiranës të keqen e madhe, regjimin e Edi Ramës”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha denoncoi sot sulmin me gaz lotsjellës ndaj Selisë Qendrore të PD-së dhe ndaj kandidatëve demokratë, duke e cilësuar akt si “të pashembullt dhe të paprecedent”.

Berisha po ashtu dënoi edhe hedhjen e gazit lotsjellës drejt besimtarëve myslimanë që po falnin namaz pas iftarit në xhami, edhe pse sipas tij, kryengritësit paqësorë devijuan rrugën për të shmangur pikërisht këtë.

Berisha po ashtu vuri në dukje se opozita që thërret qytetarët në protestë bën një përpjekje të madhe për të përmbajtur qytetarët.

Por, tha ai, ata janë të gatshëm t’i përgjigjen dhunës së ushtruar prej Policisë.