AKTUALITET, 26 Mars 2023, 20:03

Berisha ironizon kandidaturat e PS-së për kryebashkiakë: Diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar

Berisha ironizon kandidaturat e PS-së për kryebashkiakë: Diku u

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Berati ironizoi kandidaturat e PS për kryetar bashkie, emrat e të cilëve u bënë publik një ditë më parë.

Teksa prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zija Ismaili, Berisha u shpreh se “kandidatët rivalë disa u emëruan me dajak, ndërsa në disa zona të tjera me hekura në duar”.

Berisha tha se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve socialistë është proces mafioz dhe antidemokratik.

“Ju siguroj se nuk kam ardhur kurrë ndonjëherë më krenar, më i lirë para jush se sot për të paraqitur kandidatin e PD të zgjedhur me votën tuaj të lirë, me vullnetin dhe besimin tuaj, dr Ziajin, njërin nga qytetarët shembullor dhe profesionistin e apasionuar.

Është në besimin tuaj që më 14 maj ta vendosni atë si qytetar të parë të Beratit dhe ai do kthejë bashkinë në shtëpinë e parë të qytetarëve të Beratit.

Krahasoni pak me kandidatët rivalë. Dolën mbrëmë dhe pas orës 1 të natës nga shpella e rilindjes. Diku diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar. Ky ishte procesi i emërimeve në partinë shtet.

Ky ishte procesi më mafioz, më antidemokratik në historinë e Shqipërisë. Kjo është një kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte Enver Hoxha në Byronë Politike.

Unë e pyes këtu, Ervin Demon, cilët qytetarë të Beratit janë pyetur për rikandidimin tënd?

Ervin, çfarë të shtyu ty të injorosh të gjithë formimin akademik dhe të bëhesh protagonist të mafies më të rrezikshme shtetërore të Evropës

Si mund të rivalizosh ti me një kandidat si dr. Zijaj që ka muaj që është zgjedhur dhe propozuar dhe votuar nga demokratët. Të krahasosh këto dy kandidatura është si të krahasosh terrin me ndriçimin”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe të skandalit me McGonigal, duke thënë se e pagoi Rama për të shkatërruan opozitën. Sipas ish-kryeministrit, Rama e di që më 14 maj do të pasojë disfatë.

“Rama krahas këtyre do mbetet në histori, i skenarit më makabër, i skenarit të asgjësimit të opozitës. Nëse etërit e tij i morën deputetët dhe i vunë para skuadrës së pushkatimit për të zhdukur opozitën, ky pasardhës i tyre pagoi, kontraktoi si vrasës me pagesë kryezbuluesin e SHBA për të zhdukur opozitën për ta shndërruar atë në gjethe fiku të pushtetit të tij. Ju keni dëgjuar për grushte shteti për të përmbysur një qeveri, por nuk keni lexuar kurrë grushte shteti për të përmbysur një opozitës. McGonigal përdori fuqinë e institucionit të tij duke tradhtuar vendin e tij, i paguar nga Rama për të shkatërruar opozitën. Kjo nuk u ndal me kaq. Njëlloj si etërit e tij, ai përveç McGonigalëve futi në xhep drejtues të opozitës, përsëri si vrasës me pagesë, i angazhoi ata në një proces gjyqësor që nuk e njeh bota. I shpalli palë pa qenë palë dhe tre ditë para hapjes së procesit i mori të gjitha, vulën, simbolin partisë tuaj me qëllimin e vetëm që mos të hyjë në zgjedhje, sepse ai ka frikë dhe është i sigurt se 14 maji është disfata e tij e thellë”, deklaroi ish-kryeministri.