AKTUALITET, 29 Dhjetor 2025, 16:16

Berisha i uron fitoren Kurtit: Zgjedhjet në Kosovë duhet të jenë një frymëzim për Shqipërinë

Berisha i uron fitoren Kurtit: Zgjedhjet në Kosovë duhet të

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, duke uruar Albin Kurtin për fitoren dhe vlerësuar mbarëvajtjen e procesit si shembull të demokracisë së vërtetë.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Berisha shprehet se këto zgjedhje janë një sukses për qytetarët e Kosovës dhe një sinjal frymëzues për qytetarët shqiptarë në Shqipëri.

Nuk kurseu as akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si “armik të votës së lirë” dhe përgjegjës për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.

Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.

Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!