AKTUALITET, 5 Korrik 2024, 21:29

Berisha: Brenda tre orëve me urdhër të Ramës, KQZ dhe presidenti i morën mandatin Belerit

Berisha: Brenda tre orëve me urdhër të Ramës, KQZ dhe

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se brenda tre orëve, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, KQZ dhe presidenti vendosën t’i marrin mandatin Fredi Belerit dhe shpallën zgjedhje, duke mos pritur, duke mohuar të drejtën e ankesës në gjykatë.

Berisha tha se nëse do të ishin ligjet e vjetra, Rama nuk do t’i linte njerëzit të bënin apel, por do t’i pushkatonte me vendimin e parë. Ai ftoi sërish qytetarët që të marrin pjesë në protestën e opozitës më 11 korrik.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Miqtë e mi, sot diktatura e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve nxori fytyrën dhe shëmtinë e vet më të madhe. Brenda tre orëve, me urdhër të Edi Ramës, KQZ dhe presidenti vendosën t’i marrin mandatin Belerit dhe shpallën zgjedhje, duke mos pritur, duke mohuar të drejtën e ankesës në gjykatë. Të drejtën e ankesës në KAS.

Imagjinoni këtë bir xhelati, nëse do ishin ligjet e vjetra, ky nuk do t’i linte njerëzit të bënin apel, por do t’i pushkatonte me vendimin e parë. Ky është shteti i karnavalit. Këtë shtet duhet ta përmbysim një ditë e më parë. Një minutë e më parë! 11 korriku është dita e fuqisë tonë. Është dita e mosbindjes sonë civile. Është dita e triumfit tonë. Është dita që hap dyert për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme fitoren e opozitës. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!