AKTUALITET, 23 Shkurt 2022, 17:52

Këlliçi i nxjerr videon Ramës në Komision: Thatë që nuk njihni Zoton e Gugallën, por kanë qenë mbrapa jush!

Këlliçi i nxjerr videon Ramës në Komision: Thatë
Foto ilustrim: Belind Këlliçi, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Edi Rama

Në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, kryeministri Rama, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit, është pyetur nëse ka njohje me Stela Gugallën dhe Klodian Zoton, dy persona që tashmë ndodhen në arrati. Rama e ka mohuar që të jetë takuar me këta persona. 

Gjatë punimeve të Komisionit, Belind Këlliçi, nxorri një video ku Zoto dhe Gugallja shfaqen në të njëjtin ambient me Ramën, kur kryeministri ka vizituar impiantin në Elbasan. 

Rama tha se personat e përmendur nga deputeti janë larg tij dhe se video nuk provon që ai të ketë njohje me ta. 

Pjesë nga biseda në Komision: 

Belind Këlliçi: Ju thoni nuk i njihni këta persona. Por këta ju kanë shoqëruar gjatë vizitës tuaj në impiantin e Elbasanit. Ata janë prezentë tre metra larg jush.

Edi Rama: Nëse i njeh të gjithë njerëzit që ke patur tre metra mbrapa, unë nuk e kam këtë kapacitet.

Belind Këlliçi: Ke shkuar në biznesin e tyre.

Edi Rama: Kam vajtur në shumë biznese, ka njerëz që kam folur dhe kam ndejtur mbrapa. Edhe mund t’i njihja. Është si të them ja ku është një fotografi e djalit të liderit historik me një grup trafikantësh të sapoarrestuar për kokainë… Dhe të ngrija mbi këtë fotografi, që këtu jemi në kushtet duke ngrënë dhe duke pirë...

Belind Këlliçi: Ju keni vajtur në biznes.

Edi Rama: Nuk i njoh po të them, tre metra mbrapa meje.

Belind Këlliçi: Dua të dal tek marrëdhënia juaj me këta individë.

Edi Rama: Nuk ka rëndësi kush janë ata që ulen me mua për vendimarrje të caktuara. Vendimarrjet e mia bazohen tek kush jam unë.  

Belind Këlliçi: Ju thoni që nuk i njihni këta dhe i bie edhe për kompanitë nuk keni patur informacione? Kompaninë të cilës i dhatë bonus prej 8 pikësh, kishit informacion se cila ishte ajo? Kam këtu VKM që me firmën tuaj keni miratuar bonusin prej 8 pikësh. Si ka mundësi që një kompanie që pretendoni se nuk e njihni, me firmën tuaj... Ju po dilni sikur i keni duart jashtë. 

Edi Rama: Unë i kam brenda të dyja duart. Problemi është, ku janë këto 430 milionë? E dyta, po të them për të gjithë këtë punë, unë jam bashkë me një skuadër të tërë dhe ky është revolucion. Jam brenda me të dyja duart për të pastruar plehra, jo për të futur duart në xhepa. 

Belind Këlliçi: Urojmë që revolucioni të mos i hajë të gjithë bijtë e vet. Përse i keni dhënë 8 pikë bonus një kompanie që nuk e njihni? 

Edi Rama: Kryeministri është në tavolinë. Pasi janë bërë të gjithë diskutimet, është rënë dakord drejtimi për të shkuar ku duam të arrijmë. Vjen diskutimi, fillon procesi. Firmat e mia vijnë si dosje të gjitha dhe unë firmos, sepse firma ime është firma e fundit e një zinxhiri të tërë. Unë di politikat dhe drejtimin, di ku duam të shkojmë. Pastaj, si vajiset makineria... 

Belind Këlliçi: Keni informacion shterues për ato që firmosni? 

Edi Rama: Unë nuk hyj në vendime juridike. Drama që ndodh këtu në betejën për aferë, janë disa njerëz që nuk i kanë këto nocione dhe bëjnë politikë. Analfabetizëm juridik. Kur vjen te unë, ajo ka kaluar të gjithë hallkat.