AKTUALITET, 26 Tetor 2023, 11:54

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, reagon Avokati i Popullit

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, reagon Avokati i

Avokati i Popullit ka reaguar paraditen e sotme nëpërmjet një njoftimi zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë e ndodhur në Vlorë disa ditë më parë, ku një 26 -vjeçare u përdhunua nga tre persona. Avokati i Popullit ka bërë thirrje për vendosjen para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë kryer dhe mbështetur aktin ndaj të resë.

Nga ana tjetër në njoftim bëhet thirrje për mbrojtjen e fjalës së gazetarëve, referuar rastit të kërcënimit të gazetares së Vlorës Afrovita Hysaj. Në deklaratën e tij Avokati i Popullit e quan sulm për një shoqëri demokratike, kërcënimin që është bërë ndaj medias dhe inkurajon profesionistët të vijojnë detyrën e tyre.  

DEKLARATA ZYRTARE

"Avokati i Popullit ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku është shënuar rasti i rëndë i përdhunimit të një vajze 26 vjeçare.

Referuar rrethanave të bëra publike në media kjo është një ngjarje shumë e rëndë ndaj së cilës duhet të ketë një reagim të gjerë qytetar dhe reflektim të thellë publik.

Avokati i Popullit i inkurajon organet ligjzbatuese që ta zbardhin me përparësi rastin dhe të ndërmarrin hetime të shpejta dhe sa më efektive për vënien para përgjegjësisë të personave që e shkaktuan këtë ngjarje të dënueshme.

Ndërkohë, sikurse është bërë me dije në opinionin publik, të tjera incidente janë shënuar në lidhje me këtë rast, që përfshijnë përdorimin e dhunës verbale, gjuhës denigruese dhe kërcënimit për jetën drejtuar gazetares Afrovita Hysaj, e cila ka raportuar mbi ngjarjen e rëndë.

Avokati i Popullit, dënon ashpër çdo formë që cënon lirinë e shprehjes, të cilën nuk e konsideron një privilegj por një të drejtë themelore.

Sulme të tilla në një shoqëri demokratike janë të pajustifikuara dhe cënojnë ndër të tjera kurajon profesionale për gjurmimin e së vërtetës.

Në sferën e lirisë së shprehjes, Avokati i Popullit është i angazhuar për të siguruar që kjo e drejtë themelore të mbetet e pacënuar, duke i inkurajuar të gjithë profesionistët e medias ta sfidojnë padrejtësinë dhe t’i japin zë mbrojtjes së të vërtetës."

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në një hotel të Vlorës më 21 tetor 2023, ndërsa një ditë pas, 22 tetor, policia njoftoi arrestimin e Cenos dhe Tahirit ndërsa ishte shpallur në kërkim Gentjano Mehmetin. E reja u gjet pa ndjenja nga policia në hyrje të hotelit. Fillimisht policia në një njoftim zyrtar bëri me dije se ishin tre persona që kishin marrë pjesë në ngjarjen e rëndë, ndërsa ditën e djeshme në një reagim të dytë njoftoi për një person të katërt, i cili është shpallur në kërkim. Në ngjarje është përfshirë edhe gazetarja e 'Faxnews' Afrovita Hysaj, e cila është kërcënuar nga shtetasi Albert Deliaj, pasi një prej te akuzuarve dyshohet se ka lidhje me 57-vjeçarin.