TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Studiuesi Auron Tare ka reaguar pas publikimit të disa fotografive nga autoritetet vendore, ku shfaqet segmenti i rrugës historike Via Egnatia i mbuluar me asfalt.
Tare e cilëson këtë veprim si një "masakër mbi trashëgiminë kulturore" dhe i bën thirrje kryeministrit të ndërhyjë urgjentisht për të ndaluar këtë proces.
Sipas tij, Via Egnatia përfaqëson një pasuri historike me rëndësi të madhe, dhe çdo ndërhyrje që cenon autenticitetin e saj është e papranueshme.
Postimi i studiuesit Auron Tare:
Vini dorë ju lutem vini dorë për të ndërhyrë dhe për të ndaluar këtë masakër në dëm të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri. Përpos fakti që po bëhemin qesharakë në sytë të botës, po shkatërrojmë edhe atë pasuri që kemi trashëguar ndër shekuj.
Trashëgimia jonë Kombëtare nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë megjithë dëshirën e mirë që mund të jetë arsyeja e këtyre nderhyrjeve kaq qesharake dhe absurde.
Rrënimi i institucioneve kombëtare të Trashëgimisë dhe futja e OJF, firmave dhe Institucioneve që nuk kanë kapacitete po sjell dëme të pa kthyeshme në Trashëgimi.
Via Egnatia një ndër 10 rrugët më të rëndësishme te civilizimit europian. Rruga ku shkelen legjionet romake gjatë Luftës Civile te Cezarit dhe Pompeut. Rruga ku shkelen Perandorët e cdo epoke Imperiale nga Roma drejt Konstandinopojes. Nga ku etërit e Kishës sollën mesazhet biblike prej Jeruzalemit. Nga ku kultura e Orientit mbriti në Europë. Rruga nga ku barbarët rrënuan civilizime por pa e shkatërruar atë. Rruga e Kryqëzatave që vërshuan drejt Lindjes. Udha prej ku Sulltanët hijerëndë Otomanë vërshuan drejt Europës së Krishterë. Via Egnatia trashëgimia europiane që fati e bëri të kalonte mes nesh nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës.
Shikoni se si fqinjët tanë janë kujdesur për këtë copë të trashëgimisë Europiane. Maqedonia, Greqia e ruajnë me fanatizëm.
Shikoni si Italia e restauron dhe e mbron Via Apian simotrën e Egnatias që vinte nga Roma drejt Brundisiumit për tu lidhur me Egnatian.
Via Egnatia është Udha jonë për në Europë. Ju lutem vini dorë përpara se Europa të na shikojë me perbuzje për këto që po bëjmë ndaj Trashëgimisë së saj.