AKTUALITET, 3 Tetor 2023, 14:57

Ndalohet Milan Radojçiç në Serbi, drejtoi sulmin e armatosur në Kosovë

Ndalohet Milan Radojçiç në Serbi, drejtoi sulmin e armatosur

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç është ndaluar në Serbi nga Drejtoria e Policisë Kriminale dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Policët e Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe objektet tjera të Milan Radoiçiçit, i cili është ndaluar deri në 48 orë”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, sipas Danas.

Radoiçiç është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Ai pranoi publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e një grupi të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, gjatë të cilit u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.