AKTUALITET, 3 Tetor 2023, 11:08

“Do të rritet transparenca”- Kryeministri Rama: Brenda këtij mandati, sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike

“Do të rritet transparenca”- Kryeministri Rama: Brenda

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do kemi një sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike, i cili sipas tij, do të sigurojë më shumë transparencë. 

Rama theksoi se ky projekt do të mbarohet brenda këtij mandati dhe do të përfshijë më tepër komponentë teknologjik e shumë më pak njerëzorë.

Edi Rama: “Fokusi do të vendoset tek revolucioni dixhital, duke shtuar shërbimet e reja. Kemi nisur një punë inovative për inteligjencën artificiale, që do të na lehtësojë procese të caktuara duke filluar nga procesi i prokurimeve publike, për të cilin kemi projekt ambicioz që do të kërkoj kohën e vet.

Brenda këtij mandati do të kemi një sistem komplet të revolucionarizuar të prokurimeve publike, me shumë më tepër komponentë teknologjik dhe shumë më pak njerëzorë, në mënyrë që të jenë sa më transparente dhe të drejta në të gjitha nivelet. Kemi ecur përpara me projektin e krijimit të një shoqërie sh.a që do të bëjë procesin e blerjeve të përqëndruara.

Do të jetë shoqëri publike që do të krijojë më tepër akses dhe detyrimisht edhe transparencë e llogaridhënie në raport me interesin publik dhe të operatorëve. Sidoqoftë me apo pa teknologji kjo që po diskutojmë është themelore. Çdo proces duhet të bazohet tek kushtet e kriteret.”

Kreu i qeverisë ndodhet në një takim me sipërmarrjen ku po diskutohet mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim të procedurave administrative të biznesit.