AKTUALITET, 1 Qershor 2024, 09:46

Arrestohet djali i “gjeneralit” të ish-bandës famëkeqe në Tiranë. Ja për çfarë dyshohet

Arrestohet djali i “gjeneralit” të ish-bandës
Robert Kulla

Policia e Tiranës ka arrestuar djalin e “gjeneralit” të ish-bandës famëkeqe, Nehat Kullës. Gazetarja, Dorjana Bezat bën me dije se i biri i Nehat Kullës është arrestuar për dhunë në familje.

Dyshohet se 43-vjeçari, Robert Kulla ka dhunuar njerkën e tij. Nehat Kulla, i cili ndërroi jetë në 2020, një vit pasi doli nga burgu, njihej me nofkën gjenerali dhe se në vitin 1997 drejtonte një prej bandave më famëkeqe të Tiranës.

I ndieri Kulla ka shlyer në burgun e Fushë-Krujës dënimin 20 vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata. Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin e “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve.

Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.