AKTUALITET, 14 Tetor 2023, 18:09

Arrestimi i zyrtarëve të lartë, ish-ministri i Ramës: SPAK nxjerr përgjegjësitë individuale, luftën ndaj korrupsionit duhet ta bëjë qeveria

Arrestimi i zyrtarëve të lartë, ish-ministri i Ramës: SPAK

Ish-ministri dhe ish-deputeti socialist, Ditmir Bushati u shpreh sot se pavarësisht arrestimit të disa zyrtarëve të lartë, nuk është SPAK që duhet ta bëjë luftën kundër korrupsionit, por qeveria.

Ai theksoi se lufta ndaj korrupsionit bëhet me veprime të qarta politike dhe me marrje të përgjegjësive.

“Lufta e vërtetë kundër korrupsionit është çështje kulture dhe çështje botëkuptimi. Korrupsioni duhet të luftohet në radhë të parë nga qeveria, duhet të luftohet me veprime të qarta politike dhe me marrje të përgjegjësive që shqetësojnë opinionin dhe buxhetin. SPAK nxjerr vetëm përgjegjësitë individuale. SPAK ka për detyrë ti shkojë çështjeve që kanë lidhje me përgjegjësitë individuale. PS deri tani ka treguar gatishmëri për të mos penguar punën e SPAK. është shumë e rëndësishme që anti-korrupsionin, anti-nepotizmin ne nuk mund të presim të na e luftojë SPAK edhe sikur të marrim të mirëqenë që në SPAK janë të gjithë prokurorët engjëj, çka nuk është rasti. Ne na duhet të kemi një qasje tjetër në raport me çështjen e sundimit të së drejtës.”, tha Bushati.