AKTUALITET, 1 Shtator 2025, 15:44

Ankimimi i PD për certifikimin e rezultatit zgjedhor, Nuri: Kemi përfshirë gjetjet e shkeljeve nga OSBE/ODIHR. Ja çfarë presim

Ankimimi i PD për certifikimin e rezultatit zgjedhor, Nuri: Kemi

Juristi i Partisë Demokratike, Franc Nuri, ka komentuar vendimin e opozitës për të ankimuar aktin e fundit të Komisionit Rregullator të KQZ-së, që lidhet me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.

“U pa e arsyeshme të ankimohej akti i fundit i miratuar nga Komisioni Rregullator pranë KQZ-së. PD mori vendimin që ta kundërshtojë këtë vendimmarrje për të treguar se kundërshtimi nuk ka të bëjë vetëm me rezultatet qark pas qarku, por edhe me rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare”, u shpreh Nuri.

Sipas tij, kjo betejë ligjore ka nisur që më 11 maj, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, dhe ishte e natyrshme që rezultati të ankimohej nga PD si pala më e cenuar. Ai theksoi se në argumentimin e opozitës janë përfshirë edhe gjetjet e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, ku evidentohen ndërhyrjet e Partisë Socialiste dhe problematika si mungesa e fshehtësisë së votës.

Megjithatë, Nuri vuri në dukje se deri më tani Kolegji Zgjedhor nuk ka marrë vendime pozitive për PD, por nuk përjashtoi mundësinë që në këtë rast të shqyrtohen hapësira ligjore për rrëzimin e vendimit të Komisionit Rregullator.

“Nëse aty do të gjenden parregullsi, atëherë mund të jetë edhe kjo hapësirë. Por tani e dimë që Kolegji Zgjedhor ka pasur një tendencë për të mos pranuar kërkesat e PD”, tha juristi i opozitës.