AKTUALITET, 1 Shtator 2025, 14:26

Mbi 1 miliard euro për pensionet, rriten të ardhurat, por deficiti mbetet i lartë!

Mbi 1 miliard euro për pensionet, rriten të ardhurat, por deficiti

Në periudhën janar-korrik 2025, Shqipëria ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke arritur një total prej rreth 104 miliardë lekë (afro 1 miliard euro).

Kjo shifër shënon një rritje prej 12.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar një rritje prej 118 milionë eurosh. Ky rezultat është një rekord në dekadën e fundit dhe është 152% më i lartë se në vitin 2015, kur të ardhurat ishin vetëm 416 milionë euro. Rritja e të ardhurave nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është një tregues pozitiv për ekonominë shqiptare.

Megjithatë, për të siguruar që ky sistem të jetë i qëndrueshëm dhe të ofrojë mbështetje të mjaftueshme për pensionistët është e nevojshme një reformë e thellë që adreson balancën mes kontributeve dhe përfitimeve. Rritja e të ardhurave është ndikuar nga disa faktorë kryesorë, rritja e pagave. Paga mesatare në Shqipëri ka tejkaluar nivelin prej 900 euro në muaj, duke ndikuar në rritjen e kontributeve nga punonjësit në sektorin publik dhe privat. Një ndikim të ndjeshëm ka pasur lufta kundër informalitetit. Reformat e ndërmarra për të reduktuar nëndeklarimin e pagave kanë çuar në një rritje të deklarimeve dhe, si pasojë, të të ardhurave nga kontributet. Po ashtu, ndikimin e sa ka pasur rritja e numrit të bizneseve. Hapja e bizneseve të reja dhe administrimi më i mirë nga ana e administratës tatimore kanë kontribuar në rritjen e të ardhurave.

Megjithatë, shpenzimet në skemën e pensioneve janë rritur gjithashtu, duke arritur në 148 miliardë lekë (rreth 1.5 miliardë euro), duke krijuar një deficit prej rreth 440 milionë euro. Ky deficit është një pasqyrë e nevojës për një reformë të thellë në sistemin e sigurimeve shoqërore. Për të adresuar këto sfida, qeveria shqiptare, me asistencën e Bankës Botërore, po përgatit një reformë të re të mbrojtjes sociale. Qëllimi i kësaj reforme është rritja e mbështetjes për individët dhe sigurimi i një raporti më të drejtë mes nivelit të kontributeve dhe përfitimeve në skemën e pensioneve.