AKTUALITET, 25 Tetor 2022, 12:05

Aministia fiskale, Tabaku: Ligj që fal korrupsionin dhe krimin e organizuar

Aministia fiskale, Tabaku: Ligj që fal korrupsionin dhe krimin e organizuar

Mesditën e sotme, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka deklaruar se ligji për amnistinë fiskale “fal korrupsionin dhe krimin e organizuar”, duke e konsideruar si “të pabarabartë, jo të drejtë dhe arrogante”.

Në një deklaratë për mediat nga Korça, Tabaku u shpreh Shqipëria ka nevoja të tjera, teksa renditi faktorët e krizës ekonomike.

“Do të kemi një diskutim të hapur me pedagogë për procesin e integrimit. Duhet ta bëjë qeveria, por s’po e bën.

Ka shumë legjislacione që do të përafrohen, detyrime që do të zbatohen, nuk i bëjmë dot nëse s’kemi bashkëpunim dhe komunikim me njerëzit. Nga procesi përfitojnë qytetarët, jo qeveritarët. Diskutimin do e nisim nga Korça.

Kemi studentët dhe fermerët sepse do preken shumë nga ky proces, do të ketë përfitime dhe kosto. Procesi do të jetë ndryshim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot ndodhemi në gjendje jashtëzakonisht shumë të vështirë ekonomike.

Kam tre vite që flas kundër amnistisë fiskale, mendoj që Shqipëria e 2022 nuk e meriton që të diskutojë një ligj për të falur korrupsionin dhe krimin e organizuar. E pabarabartë, jo e drejtë dhe arrogante. Sot Shqipëria ka nevoja të tjera, për një vizion ekonomik për të dalë nga kriza, për të mbështetur të gjitha shtresat.

Kemi prekje të ekonomisë nga kriza botërore, por pjesë më e madhe vjen si rezultat i krisës së Shqipërisë, ekonomisë shqiptare, i rritjes së taksave, i shpërdorimit të buxhetit të shtetit dhe mungesës së alternativave”, deklaroi Tabaku.