TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) në një takim me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, diskutuan sot disa nga procedurat që sipas AmCham-it, krijojnë barrë të panevojshme financiare për investitorët, veçanërisht në rastet e rimbursimit të TVSH-së.
Kryetarja e Komitetit të Tatimeve dhe Doganave në AmCham, Alketa Uruçi, solli si shembull vështirësitë që hasin bizneset që kryejnë investime në turizëm, industri apo sektorë të tjerë.
Ajo theksoi se gjatë fazës së ndërtimit, investitorët krijojnë TVSH kreditore, por shpesh hasin pengesa në rimbursimin e saj, çka i detyron ata të mbulojnë një kosto financimi prej 20% të vlerës së investimit.
“Administrata tatimore shpesh gjen mënyra për të mos rimbursuar TVSH-në kreditore, duke rënduar ndjeshëm investimet. Një tjetër problem është ai i shitjeve nën kosto. Edhe pse praktikë e lejuar nga ligji në disa sektorë, interpretimi nga administrata tatimore ka qenë i ndryshëm, duke çuar në penalizime të subjekteve, sidomos atyre që operojnë në tregun e energjisë elektrike”, u shpreh Uruçi.
Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, theksoi se vitet e fundit ka pasur progres të dukshëm në procedurat e rimbursimit të TVSH-së dhe se shumica dërrmuese e kërkesave trajtohen pa kontroll shtesë.
“Sot trajtojmë rreth 1700 kërkesa për rimbursim në vit. Pjesa më e madhe, rreth 80% kalon menjëherë, ndërsa vetëm një numër i vogël i nënshtrohet kontrollit dhe zakonisht lidhet me investimet. Në dijeninë time, nuk kemi refuzuar rimbursime për investime kur dokumentacioni ka qenë i plotë dhe i rregullt”, deklaroi Binaj.
Ai theksoi se objektivi i përbashkët i Administratës Tatimore dhe biznesit mbetet një ekonomi e fortë dhe e begatë, edhe pse rolet dhe prioritetet e tyre janë të ndryshme.
“Marrëdhënia mes Administratës dhe bizneseve shpesh mund të jetë sfiduese, ndaj ne jemi këtu për të ndërtuar ura komunikimi”, tha ai.
Me kërkesë të përfaqësuesve të AmCham, Binaj shpjegoi edhe mënyrën se si do të zbatohet “Paqja fiskale” që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026. Ai sqaroi se qëllimi është t’i ofrohet bizneseve një mundësi për të shmangur kontrollet, për sa kohë janë të gatshëm të përmbushin detyrimet që parashikon buxheti i shtetit. “”Paqja fiskale” ishte premtim gjatë fushatës dhe qeveria është duke e implementuar, sikurse e premtoi. Patjetër, thashë, që është një qasje për të ndihmuar biznesin, i cili gjithmonë ka kërkuar të mos kontrollohet nga administrata tatimore për faktin e kohës që merr dhe kostove që ka. Dhe kjo është për ata që i bëhet nga qeveria biznesit për ata që nuk duan të kontrollohen dhe janë gati të bëjnë pagesat që kërkon buxheti i shtetit për të plotësuar mbledhjen e të ardhurave”, theksoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm njoftoi se nga janari i vitit të ardhshëm do të intensifikohen kontrollet në sektorin e ndërtimit, me fokus të veçantë te parandalimi i informalitetit në deklarimin e pagave, një prej sektorëve më të ekspozuar ndaj riskut fiskal.