TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ekstradohet nga Italia, shtetasi Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje.
Policia e Shtetit njoftoi se, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me partnerët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua nga Italia në Shqipëri, shtetasi Agron Tufa, 52 vjeç, banues në Nikël.
Ky shtetas u kap në Bari, Itali, në muajin janar 2024, gjatë operacionit policor të koduar “Informacioni”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndëkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.
Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri, në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.
Kejsi Hysa u ekzekutua në korrik të vitit 2018. Ai njihej në Krujë si fajdexhi, pasi jepte borxh në kërkim të interesit. Sipas Prokurorisë, 34-vjeçari kryente aktivitet kriminal në fushën e tregtimit të drogës dhe administronte një lokal të quajtur bar “Nikla”, në të njëjtën kohë që ishte në kërkim për vrasje nga Prokuroria e Sarandës.
Në këtë lokal është njohur dhe me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në shtëpinë e tij.
Mirëpo, në rastin e fundit Hysni Rama ka humbur një sasi prej 50 kg drogë dhe Kejsi Hysa i ka kërkuar 15 mijë euro, ose në të kundërt do ta vriste. Në pamundësi për të gjetur paratë, sepse ishin shumë, Hysni Rama i jep 34-vjeçarit vetëm 1 milionë lekë të vjetra.
Në takimin e fundit, Kejsi Hysa dhe Hysni Rama janë përleshur me njëri-tjetrin dhe në një moment 34-vjeçari ka nxjerr armën që mbante me vete.
Kejsi Hysa ia ka vendosur pistoletën në kokë Hysni Ramës dhe kanë vazhduar të ecin për pak metra. Siç thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krujës, 34 vjëeçari nuk ka mundur ta qëllojë pasi ka rënë menjëherë në tokë. Kur Hysni Rama është kthyer për të parë çfarë ndodhi, pas tij qëndronte Agron Tufa.
Ky i fundit ishte njohje e të dy personave, si Kejsi Hysës ashtu dhe Hysni Ramës, dhe kishte qëlluar me armë 34 vjeçarin. Kur kanë parë se Kejsi Hysa kishte vdekur, Agron Tufa dhe Hysni Rama e kanë groposur trupin e tij dhe kanë shkuar për të luajtur bilardo në një lokal në Nikël.