AKTUALITET, 22 Mars 2022, 23:08

Të strehuar në Shqipëri, 212 shtetasit afganë mbërrijnë në SHBA, Blinken: Faleminderit popullit shqiptar për mikpritjen e tyre

Të strehuar në Shqipëri, 212 shtetasit afganë

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka bërë të ditur se 212 afganët e nisur nga Shqipëria kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me anë të një postimi ne rrjetet sociale, Blinken thote se tashme ata  kane një shtëpi te re, ndersa falenderoi ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe popullin shqiptar për mikpritjen.

“I lumtur të ndaj që 212 afganë mbërritën këtë mëngjes nga Shqipëria në SHBA, në shtëpinë e tyre të re. Për fqinjët tanë më të rinj: Ju mirëpresim dhe ju urojmë më të mirat në këtë kapitull të ri. Një falënderim i veçantë për Ministrin e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka dhe popullin shqiptar”, shkruan Blinken në Twitter.

Një avion me afganë u nis nga Tirana në orët e para të mëngjesit, për të filluar jetën e tyre të re në Shtetet e Bashkuara, pasi gjetën strehim në Shqipëri. Ambasadorja Yuri Kim dhe Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u takuan me afganët përpara nisjes dhe i përgëzuan ata për kurajon e tyre.

Ambasadorja Kim falenderoi popullin shqiptar për mikpritjen e afganëve si vendi i parë që u hapi atyre dyert vitin e kaluar. Populli shqiptar i tregoi botës edhe një herë traditën e “besës” – mbrojtjes së të tjerëve në nevojë.