AKTUALITET, 23 Tetor 2024, 18:32

A e humbi Meta qetësinë në sallën e gjyqit?! Gjokutaj: E vërteta thuhet më zë të lartë!

A e humbi Meta qetësinë në sallën e gjyqit?! Gjokutaj: E

Genc Gjokutaj, avokati i ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një dalje për mediat u shpreh kundër vendimit të GJKKO e cila la në fuqi vendimin për ‘arrestin me burg’ për kreun e PL-së.

Ai tha se Meta nuk e humbi qetësinë në sallën e gjyqit, por e vërteta sipas tij thuhet me zë të lartë. “Nuk e ka humbur qetësinë, toni i lartë… e vërteta thuhet më zë të lartë. Është në të drejtën e tij.”, tha ai.

Gjokutaj tha se vendimi është marrë jashtë godinës së GJKKO-së, duke e cilësuar atë si politik. Ai u shpreh se ashtu si në rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha edhe në rastin e Presidentit të PL-së, Ilir Meta, kemi goditje të drejtuesve të opozitës. “Një vendim i paralajmëruar siç e patë rrëmbimin ashtu është edhe dosja. Ata kanë sjellë 34 volume për gjykatën nga 190 që thotë prokuroria dhe në ato volume nuk ka asgjë dhe llogarit se çfarë kanë pjesa tjetër e mbetur. Ky është një vendim që ne e prisnim dhe politik i marrë jashtë kësaj gjykate. Ne do të vijojmë rrugën e ankimit sepse ajo është rruga që na garanton ligji pavarësisht aksionit politik që ka opozita në agjendë”, tha Gjokutaj.

Në vijim, avokati u shpreh se ish-Presidenti i Republikës nuk ka humbur qetësinë, por të vërtetat thuhen me zë të lartë. “Asnjëherë nuk e ka humbur qetësinë, është në të drejtën e tij që të vërtetat t’i thotë me zë të lartë”, tha Gjokutaj. Lidhur me paraburgimin ku do të zhvendoset Meta pas caktimit të masës së sigurisë, Gjokutaj tha se këtë e vendos Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Gjokutaj tha se sa i takon biznesmenëve Meta ka njohje, por njohja nuk është miqësi. Ai paralajmëroi se do të bëhet kallëzim penal ndaj oficerëve të policisë lidhur me momentin e arrestimit. “Ne po mbledhim prova dhe natyrisht që do të bëjmë kallëzime penale, jemi në rrugë të mbarë”, tha Gjokutaj.