TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish Kryeministrit Sali Berisha, i është refuzuar e drejta për të apeluar më tej ndalimin e hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Berisha, i cili kishte apeluar vendimin e SIAC, që e linte në fuqi ndalimin e hyrjes në MB nga Sekretarja e Shtetit, ka humbur në kërkesën e tij në Gjykatën e Apelit dhe për rrjedhojë nuk do të ketë mundësi të ngrejë pretendime të tjera kundër vendimit.
Beteja shumë e kushtueshme ligjore, për të cilën vajza e tij, Argita Malltezi, ka pranuar se ka kushtuar rreth 500 mijë euro në shpenzime për mbrojtësit ligjorë, nuk pati fryt.
Megjithatë zonja Malltezi gjatë një interviste për TPZ pak muaj më parë, deklaroi se shpenzimi i këtyre parave "ia ka vlejtur, për të treguar sistemin korruptiv ndërkombëtar që ka ngërthyer Shqipërinë".
Berishës iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 dhe vetë ai bëri publike arsyet që i ishin dhënë nga Sekretarja e Shtetit përmes një letre.
Berisha zbuloi se vendimi është marrë ne arsyetimin e “lidhjeve të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretëri të Bashkuar" dhe se ai është "i gatshëm t’i përdorë këto lidhje për të avancuar ambiciet politike, si edhe për korrupsionin”.
Ish kryeministri ka theksuar vazhdimisht se ky vendim është marrë si pasojë e "trillimeve", duke shënjestruar ndër të tjerë edhe ish ambasadorin britanik.
Ky vendim i jep fund përpjekjeve të Berishës për heqjen e ndalimit të hyrjes në MB.
Ish kryeministri kishte lajmëruar edhe proces gjyqësor në Francë ndaj Sekretarit të Shtetit, Blinken, por edhe në atë rast pa rezultat.
Tashmë Berisha duket se ka ndryshuar strategji dhe nuk do të vijojë përpjekjet në gjykata. Ai ka deklaruar se do të lobojë pranë administratës Trump për rishikimin e vendimit nga SHBA, duke e konsideruar administratën e re, si larg influencave të lobimeve nga George Soros, të cilin e ka shpallur armik dhe e fajëson për vendimet e marra ndaj tij.