AKTUALITET, 8 Nëntor 2023, 12:31

3-vjeçarja dyshohet se u dhunua nga edukatorja, Hysaj: Institucionet nuk ushtrojnë kontrolle, lejojnë kopshte pa licenca!

3-vjeçarja dyshohet se u dhunua nga edukatorja, Hysaj: Institucionet nuk

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD-në e Rithemelimit, Jola Hysaj ka reaguar në lidhje ngjarjen e rëndë, ku dhuna e një edukatoreje ndaj një vajze tre vjeçare, dyshohet se i ka shkaktuar kësaj të fundit dhe thyerjen e këmbës.

Hysaj shkruan se "vogëlushen nuk e dhunoi vetëm edukatorja, por dhe por pushteti vendor, ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme që nuk regjistroi procedimin penal derisa rasti u bë publik." Sipas saj vajza e vogël u dhunua edhe nga drejtoresha e kopshtit, ata që hartojnë ligje, ata që nuk ushtrojnë kontrolle, ata që nuk plotësojnë nevojat e banorëve të Tiranës dhe të gjithë ne që nuk gjejmë aq guxim për të dalë në rrugë e për të protestuar.

Me anë të një postimi në Facebook Hysaj shkruan se prej kohësh kopshtet dhe çerdhet jo publike kanë dalë jashtë kontrollit në Tiranë.

Postimi i plotë

Fëmijën tre vjeçar nuk e dhunoi vetëm edukatorja, por pushteti vendor, ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme që nuk regjistroi procedimin penal derisa rasti u bë publik, drejtoresha e kopshtit që heshti përballë dhimbjeve të tmerrshme të fëmijës 3-vjeçar për 5 orë, ata që hartojnë ligje, ata që nuk ushtrojnë kontrolle, ata që nuk plotësojnë nevojat e banorëve të Tiranës dhe të gjithë ne që nuk gjejmë aq guxim për të dalë në rrugë e për të protestuar, pasi nesër mund t’i ndodh kujtdo nga ne. Historia e këtij vendit tonë të vogël me padrejtësi të mëdha ka treguar se gjithçka harrohet pas tre ditësh.

Prej kohësh kopshtet dhe çerdhet jo publike kanë dalë jashtë kontrollit në tiranë. Pothuajse në çdo pallat mbin një çerdhe atëherë kur nuk e pret, ndërsa prindërit përpiqen t’ia dalin në këtë kaos, fëmijët bien pre e dhunës barbare, të personave që kanë gjetur një punë, por që janë të paarsimuar, të pa përgjegjshëm dhe që shqetësohen nga fëmijët 3-vjeçarë.

Ngjarja e ndodhur të kopshti “Stinët” duhet të shërbejë si kambanë alarmi për të gjitha institucionet që nuk ushtrojnë kontrollet e nevojshme dhe që lejojnë të funksionojnë kopshte pa licenca dhe pa plotësuar asnjë standard.

Sigurisht kjo është pasojë e mungesës së kopshteve publike të cilat nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e banorëve të Tiranës për shkak të politikave të gabuara të pushtetit vendor.