TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka nisur rinumërimi i votave për partitë dhe kandidatët në qarkun Fier, pas përfundimit të procesit në Tiranë javën e kaluar. Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet po rihapen 587 kutitë për të kontrolluar saktësinë e rezultateve fillestare në këtë qark që prodhon 16 mandate në parlament.
Do të kalojnë në 'sitë' 154 mijë vota të vlefshme dhe mbi 5 mijë të pavlefshme. Kërkesa për rinumërimin e Fierit ishte e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, i cili pretendon një mandat, të cilin për t'ja marrë Partisë Socialiste i duhen 517 vota.
Deri më tani janë hapur 35 kuti votimi, ku reflektohen gabimet e para. PD humb 7 vota, ndërsa PS 5. Dy vota i humb edhe Nisma Shqipëria Bëhet.
Kësaj të fundit do t'i duhen 517 vota nga rinumërimi që të mund t'i marrë mandatin PS-së dhe të hyjë në Kuvend Azmer Duleviç dhe të lërë jashtë socialistin Ramion Kurti.
Brenda PS, Maldita Bardho rezulton se deri më tani ka humbur 8 vota. Nëse vijon në këtë trend, Bardho do ta ketë të vështirë mundësinë për t'i marrë mandatin kandidates tjetër grua në listën e hapur Zegjine Çaushi, e cila fitoi përballë saj me 61 vota diferencë.
Partia “Mundësia” gjithashtu duhet të sigurojë të paktën 519 vota nga rinumërimi dhe t’i marrë PS-së një deputet për të hyrë në parlament.
Në rinumërimin e qarkut të Tiranës, që përfundoi të premten, nuk pati ndryshim rezultati por vetëm lëvizje të vogla votash që u konsideruan gabime njerëzore dhe jo trafikim votash nga KAS.