AKTUALITET, 30 Maj 2025, 19:59

100 mijë shqiptarë me kriptomonedha/ Zhvillohet në Tiranë samiti i kriptos për Ballkanin, ekspertët tregojnë fitimet dhe rreziqet

100 mijë shqiptarë me kriptomonedha/ Zhvillohet në Tiranë

Të prodhosh kriptomonedha në Shqipëri përbën vepër penale. Pavarësisht kësaj, në Tiranë u zhvillua Samiti i Cryptos për Ballkanin, ku 106 kompani nga vende të ndryshme të botës e shohin vendin tonë si “fermën” ideale për të prodhuar paranë dixhitale, bitcoin.

Ngritja e fermave ku prodhohet bitcoini bëhet afër kabinave elektrike ose hidrocentraleve, sepse të prodhosh kriptomonedha kërkon shumë energji. Por këto ferma që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë ilegale nuk janë të sigurta për shqiptarët, sepse sipas ekspertëve ato janë skema mashtrimi për personat që kërkojnë të pasurohen shpejt në kohë. Një realitet të tillë shqiptarët e provuan gjatë viteve ’90 me skemat piramidale.

“Në Shqipëri është e vërtetë që bota e kriptomonedhave përdoret nga bota e nëndheshme, pasi ka disa forma që përdoren për prodhimin e kriptove. Prodhimi ilegal ka krijuar kompani të rreme. Krijon një fasadë që është e Web3 ose e kriptomonedhave, por nuk ka asnjë projekt serioz. Këtë gjë do ta quaja skemë piramidale.”, tha Emir Allen, organizator i Balkans Crypto 2025.

Por që paraja digjitale të prodhohet në formë të rregullt, duhet vullneti i qeverisë dhe ai i kompanive që ofrojnë sisteme të sigurta. Të prodhosh kripto, do të thotë të përfitosh.

“Shqipëria do të ketë përfitime të prekshme. E para, fusha e energjetikës, pasi ne humbnim 350 milionë euro energji; minimi do të thotë të përdorësh këtë energji që më pas do të përdoret për investime dhe jo derdhje. E dyta, këta të rinj që e duan teknologjinë mund të rrinë, të edukohen dhe të prodhojnë këtu.”, tha Allen. Në Shqipëri ende nuk kemi një ligj që lejon përdorimin e kriptove, e pavarësisht kësaj, numri i portofolëve të investimit nga qytetarët shqiptarë përllogaritet të jetë afërsisht 100 mijë. Kjo do të thotë që në vendin tonë jo vetëm prodhohet, por kriptomonedha edhe përdoret.