AKTUALITET, 19 Gusht 2021, 18:20

“Air Albania” nuk është gati, Kombëtarja zhvendoset në “Elbasan Arena”

“Air Albania” nuk është gati, Kombëtarja zhvendoset

Kombëtarja Shqiptare rikthehet në “Elbasan Arena”. Punimet për ndryshimin e tapetit në “Air Albania” kanë marrë më shumë kohë sesa ishte parashikuar dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të zhvendosë disa kilometra më larg ndeshjet e shtatorit.

Pas transfertës ndaj Polonisë më 2 shtator, Kuqezinjtë do të presin Hungarinë më datën 5 shtator dhe San Marinon më 8 shtator, sfida të cilat FSHF ka vendosur t’i organizojë në impiantin “Elbasan Arena”.

Të tre këto sfida janë të vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, ndërsa në një komunikatë, FSHF bëri me dije se prej të shtunës së 21 gushtit do të dalin në shitje edhe biletat për ndeshjet që do të luhen në shtëpi.

Sa i përket stadiumit “Air Albania”, FSHF po kryen një investim për vendosjen e një tapeti të ri, hibrid, i cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, ndërsa impianti pritet të jetë gati vetëm pas mesit të shtatorit.