BOTA, 21 September 2026, 18:50

VIDEO/ Konflikt për një notë në provim, 17-vjeçarja sulmon me thikë mësuesen në një shkollë në Brazil

Një incident i rëndë është regjistruar në një shkollë publike në shtetin Pará të Brazilit, ku një nxënëse 17-vjeçare dyshohet se ka sulmuar me thikë mësuesen e saj pas një konflikti lidhur me një notë në provim.

Ngjarja ndodhi në Shkollën Publike “Dr. Gerson dos Santos Peres”, ku debati mes nxënëses dhe mësueses u përshkallëzua.

Sipas informacioneve paraprake, 17-vjeçarja ishte e pakënaqur me rezultatin e marrë në një provim dhe nisi të konfliktohej me mësuesen. Situata u përshkallëzua më tej, ndërsa nxënësja iu afrua mësueses e armatosur me një thikë.

Mësuesja tentoi ta qetësonte nxënësen përmes komunikimit dhe duke shmangur përshkallëzimin e situatës, por përpjekjet e saj nuk rezultuan të suksesshme.

Gjatë përleshjes, mësuesja pësoi disa plagë të lehta nga thika. Sipas informacioneve të deritanishme, gjendja e saj shëndetësore raportohet e mirë.

Pas incidentit, policia ndërhyri në shkollë dhe 17-vjeçarja u ndalua.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohen edhe përgjegjësitë ligjore të nxënëses.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitetin e shkollës dhe ka rikthyer vëmendjen te siguria në institucionet arsimore, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e incidentit.