TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Parlamenti miratoi në orët e vona të së enjtes së kaluar, ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i kërkuar nga opozita. Me votat e mazhorancës dhe opozitës është miratuar ngritja e komisionit me 11 anëtarë, ku mazhoranca ka shumicën, ndërsa opozita ka kryetarin. PS ka 6 anëtare, PD 4 dhe LSI 1 anëtar.
Sot, Kryetari i Komisionit hetimor parlamentar për Tahirin dhe lidhjet e tij me bandën e Habilajve, Edi Paloka, deklaroi se në Komision do të bëhen prezente dokumente sekrete për lidhjet e Tahirit me trafikun e drogës, prandaj ai kërkoi që anëtarë të komisionit të pajisen me çertifikatën e sigurisë.
Në fakt, ngritja e komisioneve hetimore prej kohësh është kthyer në një histori dështimesh. E drejta ligjore që ka një 1/4 e deputetëve të Kuvendit për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor, duket se jo në pak raste, është keqpërdorur. Shkak ka qenë polarizimi i skajshëm i qëndrimeve të përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, që ka çuar në paraqitjen e dy raporteve të veçanta për miratim në seancë plenare. Këtë e vërteton më së miri edhe rezultati i komisioneve hetimore të ngritura
I pari, në listën e gjatë të komisioneve hetimore është ngjarja e ndodhur në Shkodër më dy prill të vitit 1991, ku humbën jetën 4 të rinj. Deputetët që hetuan ngjarjen arritën vetëm në përfundimin se ngjarjet e kishin origjinën në mospërgatitjet e elektoratit për humbjen e zgjedhjeve. Ndërsa komisioni i dytë, ai i pasurisë së sekuestruar nga komunistët pronarëve shqiptarë, ose siç është njohur ndryshe “Vjedhja e arit shqiptar”, nuk arriti të dalë në asnjë përfundim. Qysh atëherë janë mbi 50 komisione të dështuara deri më sot.
Komisionet Hetimore
Ngjarja e 2 Prillit 1991
Zbardhja e vrasjes së katër të rinjve që protestonin për manipulimin e zgjedhjeve në Shkodër.
Ari i shqiptarëve
Qëllimi: Zbardhja e shpërdorimit që iu bë arit të shqiptarëve, i cili u mor me forcë me ardhjen e Partisë Komuniste në pushtet
Ndihmat nga qeveria italiane
Ndihmat e dhëna nga qeveria italiane për popullin shqiptar në Operacionin “Pelikan”. Zbardhja e mënyrës se si u shpërndanë ndihmat italiane dhe gjetja e zyrtarëve që përfituan nga këto ndihma.
Trazirat e ndodhura 1991-1992
Çështja: Trazirat e ndodhura në Shqipëri gjatë viteve 1991-1992, në qytete Pukë, Laç, Peqin, Lushnjë, Pogradec. Zbardhja e ngjarjeve ku humbën jetën një numër i madh qytetarësh, dhe nxjerrja e fajtorëve para përgjegjësisë.
Veprimtari e Bankave Shtetërore
Veprimtari e Bankave Shtetërore gjatëve viteve 1990-1992. Qëllimi: Zbardhja e fondeve dhe parave që qarkullonin bankat përpara ndërtimit të sistemit dhe verifikimi i kapitalit që dispononin bankat.
Veprimtaria ekonomike e partive politike
Veprimtaria ekonomike e partive politike 1993. Qëllimi: Zbardhja e financimeve të partive politike dhe deklarimi i të ardhurave të tyre.
Ngjarjet e Marsit dhe Prillit 1997
Zbardhja e shkaqeve që çuan në rrëmbimin e armëve nga populli dhe organizmi i protestave të armatosura në gjithë vendin.
Veprimtaria e Shërbimit Informativ Kombëtar
Veprimtaria e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH), 2003. Zbardhja e veprimtarisë së këtij institucioni dhe kryetarit të tij, Fatos Klosi.
Fondet e përdorura nga Edi Rama
Zbardhja e financimeve dhe përdorimit të fondeve në dy dikasteret e drejtuara nga Edi Rama, Ministrinë e Kulturës dhe bashkinë e Tiranës.
Veprimtaria e firmave piramidale
Veprimtaria e firmave piramidale dhe transparenca e bërë për to nga qeveria socialiste, 2003. Zbardhja e ngritjes së strukturave të firmave huamarrëse dhe ku përfunduan paratë e shqiptarëve.
Rritja e çmimeve nga Albtelekomi
Zbardhja e aktivitetit të Albtelekomit, rritja e tarifave në vitin 2004 dhe marrëveshjet e nënshkruara me shoqëritë e telefonive të lëvizshme.
Veprimtaria e KESH-it
Hetim i veprimtarisë së KESH-it dhe i menaxhimit të të ardhurave të kësaj kompanie shtetërore nga drejtuesi i saj, Andis Harasani.
Taksa e rrugës Durrës-Morinë, 2005
Qëllimi: Zbardhja e fondeve të mbledhura nga qeveria për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, të njohura ndryshe edhe si fondet e taksës “Majko”.
Për Zgjedhjet e 3 korrikut 2005
Qëllimi: Zbardhja dhe nxjerrja e manipulimeve të ndodhura gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në 3 korrik, si dhe përsëritjen e zgjedhjeve në disa zona.
Komisioni hetimor i telefonisë
Komisioni hetimor për tregun e monopoleve të telefonisë celulare. U drejtua nga opozita, me kryetar Neritan Cekën dhe u ngrit më 04.05 2006
Për rrugën Durrës-Kukës
Komisioni hetimor për hetimin e tenderit të rrugës Durrës-Kukës u drejtua nga PD, me kryetar Aleksandër Biberaj dhe u ngrit më 22.10.2007
Për Albtelekomin
Komisioni hetimor për hetimin e privatizimit të Albtelekomit u drejtua nga opozita me kryetar Marko Bellon dhe u ngrit më 22.10.2007
Për buxhetin
Komisioni hetimor parlamentar për hetimin e shpenzimeve të buxhetit. U drejtua nga PS, me kryetar Erjon Braçen dhe u ngrit më 22.10.2007
Për koncesionet
Komisioni hetimor për zbatimin e ligjit të koncesioneve. U drejtua nga opozita, me kryetar Shpëtim Idrizin dhe u ngrit më 22.10.2007
Për shkarkimet në Administratë
Komisioni hetimor për shkarkimet politike në administratën publike. U drejtua nga opozita, me kryetar Blendi Klosin dhe u ngrit më 04.05.2006
Për pasuritë e zyrtarëve
Komisioni hetimor për verifikimin e pasurive të zyrtarëve të lartë të shtetit. U drejtua nga Bujar Nishani dhe u ngrit më 18.09.2006
Për përgjimet
Komisioni hetimor për përgjimet ndaj zyrtarëve të lartë i kërkuar nga PDK-ja. U drejtua nga Jak Ndokaj dhe u ngrit më datën 01.11.2007
Për Kryeprokurorin Sollaku
Komisioni hetimor i dytë për hetimin e Kryeprokurorit, u kërkua nga mazhoranca dhe u drejtua nga Ferdinand Xhaferri. U ngrit më 25.10.2007
Për Edi Ramën
Komisioni hetimor për veprimtarinë e Edi Ramës si kryebashkiak. U drejtua nga deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri, dhe u ngrit më 23.04.2009
Për zgjedhjet e 28 qershorit 2009
Komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009 u miratua më 19 mars 2010. Ky komision u bë vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që ishte kërkuar nga opozita.
Për 21 Janarin
Pas ngjarjeve të 21 janarit, mazhoranca demokrate ngriti një komision hetimor për të hetuar e 21 janarit ku mbetën të vrarë tre demonstrues të opozitës. Vulën e dështimit ia vuri kryeprokurorja Ina Rama ku nuk pranoi të merrej në pyetje nga deputetët demokratë.
Ndaj Kreshnik Spahiut
Vendimi për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiut me objekt “diskreditimin e figurës së një funksionari të lartë shtetëror dhe shkeljen e Kushtetutës”.
Për burimet njerëzore të Policisë
Komisioni hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit”.
Për implikimin e Forcave të Armatosura
Komisioni hetimor “Për hetimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha fakteve dhe rrethanave, lidhur me akuzat e bëra publike për implikim të Forcave të Armatosura dhe bazave të saj ushtarake në veprimtari të kundërligjshme në transportin e lëndëve narkotike”.
Për shkarkimin e Elvis Çefës
Komisioni hetimor “Për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Kuvendi, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, për shkelje të rëndë të ligjit”.
Për ligjshmërinë e emërimeve në detyrë
Komisioni hetimor parlamentar “Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë, të realizuara gjatë periudhës 15 shtator 2013 – 31 maj 2014 në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”.
Për administrimin e të dhënave tatimore
Komisioni hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar më thellë fenomenin e ndërhyrjes dhe të bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore”.
Për pajisje përgjuese “IMSI Cathcer”
Kuvendi me vendimin nr. 66/2016, datë 6 tetor 2016 ka ngritur komisionin hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për përdorimin dhe administrimin nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të pajisjes përgjuese “IMSI Cathcer”
Për lidhjet e Tahirit me bandën e Habilajve
Parlamenti miratoi, më 15 mars 2018 ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i kërkuar nga opozita. Me votat e mazhorancës dhe opozita është miratuar ngritja e komisionit me 11 anëtarë, ku mazhoranca ka shumicën, ndërsa opozita ka kryetarin. PS ka 6 anëtare, PD 4 dhe LSI 1 anëtar./TPZ.AL/