BALLKAN, 6 Prill 2020, 23:16

A do shkojë Kosova në zgjedhje të reja? Flet Thaçi

A do shkojë Kosova në zgjedhje të reja? Flet Thaçi


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i pyetur nëse do ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme, tha në emisionin “Open” me anë të një lidhje në Skype se do zbatojë plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Presidenti i Kosovës do të zbatojë në përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Kryeministri Albin Kurti është rrëzuar me 85 vota. Pra janë 2/3 e Kuvendit që kanë votuar kundër Kurtit. Ai kërkon zgjedhje, por janë 90 deputetë kundër tij. I kam ftuar të gjithë anëtarët e partive dhe më kanë shprehur se janë të gatshëm për të krijuar një qeveri të re dhe të mos shkojnë në zgjedhje” – tha Thaçi.

Sipas kreut të shtetit, Kurti është një shkelës i rëndë i Kushtetutës kjo e vërtetuar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Unë kam kërkuar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Edhe në takim të Komitetit të Sigurisë Kombëtare të gjithë ishin pro, ndërsa Kurti kishte një komoditet duke thënë se situata është normale dhe nuk ka nevojë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Unë jam në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ora policore e shpallur nga qeveria i takon si vendim ta marrë Kuvendi dhe jo vetëm qeveria. Kurti është një kryeministër i shkarkuar. Kurti është një shkelës i rëndë i Kushtetutës, gjë që e verifikoi edhe Gjykata Kushtetuese” – tha Thaçi.