SPORT, 3 Nëntor 2021, 13:02

Liverpuli për kualifikim në grupin e “ferrit”, Klop: Do të ishte madhështore

Liverpuli për kualifikim në grupin e “ferrit”, Klop: Do

Liverpuli dhe Atletiko e Madridit do të ndeshen sot në një duel të zjarrtë për grupin B. Anglezët kryesojnë grupin me 9 pikë në 3 ndeshje, ndërsa spanjollët renditen në vendin e dytë me katër pikë në tri takime. Sfida e parë e luajtur në Madrid përfundoi me fitoren 3-2 të skuadrës së Jyrgen Klopit.

Trajneri gjerman tha për mediat angleze se skuadra e tij kërkon të shmangë kualifikimin në ndeshjen e fundit dhe shpreson që ta bëjë këtë nesër (sot). “Do të ishte diçka madhore të mbyllnim llogaritë në sfidën e nesërme (sotme).

Kjo gjithmonë ka ndodhur në duelin e fundit, por shpresoj që në këtë sezon të jetë ndryshe. Atletiko do të luajë për gjithçka, ashtu si dhe ne, do të jetë një ndeshje që ja vlen të ndiqet”, tha Klop. I pyetur për lojtarët që janë në dispozicion, trajneri i “Reds”-ave u shpreh se:

“Keita ka një problem pas kofshës, kështu që nuk do të luajë për një kohë të gjatë. Tiago dhe Fabinjo janë stërvitur rregullisht, çka na jep shpresë. Luajmë në grupin e ferrit ku çdo skuadër ka shanset e saj për t’u kualifikuar.

Ne do të mundohemi të shfrytëzojmë në maksimum faktorin fushë. Tifozët kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë lojtari ynë i 12-të. Shpresoj që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe t’i shpërblejmë ata me një fitore të rëndësishme”, tha trajneri i skuadrës së Liverpulit.

Anglezët kanë bërë një sezon të mirë jo vetëm në Europë por dhe në Premier Ligë ku renditen të dytët me tri pikë pas Sitit të vendit të parë.

Edhe pse në javën e fundit ata(Liverpuli) u ndalën në një barazim 2-2 nga Brajtoni, i cili dhe pse në disavantazh 2-0, arriti të merrte një pikë në “Anfield”. Një rezultat, të cilin skuadra angleze kërkon ta harrojë sa më shpejt me një fitore në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.