NË FOKUS, 8 Tetor 2021, 19:58

Shitja e dyshimtë/ Spitali me humbje blihet nga Kryegjyshata Bektashiane për një shumë të majme

Shitja e dyshimtë/ Spitali me humbje blihet nga Kryegjyshata Bektashiane

Në nëntor 2019, fondacioni bamirës “Firdeus” i drejtuar nga hoxha popullor Elvis Naçi, tërhoqi vëmendjen mediatike kur u zbulua se pati blerë 100% të aksioneve të një spitali privat të vogël me emrin Continental për një shumë prej 350 mijë eurosh. Hoxha flambojant që grumbullon donacione në ndihmë të të varfërve, u ekspozua në këtë rast për fuqinë financiare të fondacionit Firdeus. Naçi u mbrojt duke argumentuar se spitali do të shërbejë, mes të tjerash për të ofruar shërbim shëndetësor për njerëzit e varfër. Por ajo që nuk u vu re në atë kohë ishte gjendja financiare e kompanisë që u ble për këtë shumë.

Spitali Continental në fakt rezulton një sipërmarrje me humbje të vazhdueshme financiare, sipas të dhënave të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe bilanci i publikuar për vitin 2020 tregon se kompania ka vijuar të humbasë shuma të mëdha parash edhe pas blerjes nga Firdeus. Këto humbje që arrijnë në total 160 milionë lekë dhe që kanë ngrënë të gjithë kapitalin themeltar të kompanisë, nuk e penguan Kryegjyshatën të paguajë një shumë të konsiderueshme për blerjen e saj, në një blerje që nuk bën shumë sens nga pikëpamja ekonomike por që dukshëm reflekton fuqinë financiare të organizatave bamirëse.

Continental është krijuar si kompani në vitin 2015 me kapital themeltar prej 100 milionë lekësh ndërsa në vitin e parë të operimit më 2016, humbi 55.6 milionë lekë. Humbjet ishin 55 milionë lekë të tjera në vitin 2017, ndërsa kompania doli me një fitim minimal prej 3.5 milionë lekësh në vitin 2018. Më 2019, kompania humbi 29 milionë lekë të tjera për një total humbjesh të akumuluara prej 111 milionë lekësh. Kjo ishte kompania që u ble nga fondacioni Firdeus për 350 mijë euro apo 42 milionë lekë, një kompani që kishte humbur të gjithë kapitalin fillestar prej 100 milionë lekësh plus para të tjera të marra hua.

Menaxhimi i ri nuk solli ndonjë ndryshim shumë të madh. Në vitin 2020, humbjet e kompanisë Continental ishin 23 milionë lekë ndërsa kapitali themeltar i kompanisë ishte minus 60 milionë lekë.

Kriza e pandemisë që goditi Shqipërinë në vitin 2020 dhe që në përgjithësi ndihmoi shërbimet spitalore e në veçanti, shërbimet diagnostikuese të bënin para të majme, duket se nuk e ndihmoi shumë spitalin Continental. Sipas të dhënave të saj të bilancit, kompania pati të ardhura prej 234 milionë lekësh vitin e kaluar me një rritje 9% në krahasim me vitin 2019 por kjo nuk ndihmoi për të nxjerrë kompaninë nga humbjet.

Këto humbje maramendëse dhe të vijueshme përgjatë shumë viteve nuk e penguan Kryegjyshatët Botërore Bektashiane të firmoste një kontratë për ta blerë spitalin për 85 milionë lekë. Kontrata u firmos nga Haxhi Baba Edmond Brahimaj për blerësin dhe Ilir Naçi, drejtor ekzekutiv i fondacionit Firdeus për shitësin. Blerësi do të duhet të shpresojë që kompania do të realizojë fitime neto prej së paku 145 milionë lekësh për të mbuluar humbjet e akumuluara dhe për të shlyer çmimin e paguar për blerjen./ BIRN